Emma Graham-Harrison – The Guardian
Izraeli po zhvillon dy lloj luftërash në Gaza: një për kontrollin ushtarak të territorit, dhe një tjetër për kontrollin e narrativës, pra mënyrën se si bota e kupton atë që po ndodh atje.
Në teori, gazetarët palestinezë dhe influencuesit në rrjetet sociale që dokumentojnë urinë, vrasjet masive dhe krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza janë të mbrojtur si civilë sipas së drejtës ndërkombëtare. Por në praktikë, këto mbrojtje kanë vlejtur shumë pak.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), më shumë se 180 gazetarë palestinezë janë vrarë gjatë 22 muajve të luftës, duke e bërë Gazën vendin më të rrezikshëm në botë për të raportuar si gazetarë.
Në të njëjtën periudhë, CPJ evidenton se 26 prej tyre janë vrarë në mënyrë të qëllimshme, të cilat i cilëson si vrasje me dashje.
Rasti më i fundit ishte ai i Anas al-Sharif, 28 vjeç, korrespondent i Al Jazeera-s, i cili u vra të dielën së bashku me katër kolegë në një redaksi të improvizuar pranë një spitali.
Organizatat për lirinë e shtypit dhe gazetarët thonë se këto vrasje janë pjesë e një fushate frikësimi për të mbyllur raportimin nga Gaza, të justifikuara nga Izraeli me akuza të rreme se viktimat ishin luftëtarë të Hamasit.
Ndërkohë që gazetarëve ndërkombëtarë u ndalohet raportimi i pavarur nga Gaza, (vetëm një numër shumë i vogël janë lejuar të hyjnë me eskortë ushtarake izraelite, pa të drejtë lëvizjeje të lirë apo kontakti me palestinezët), raportimi i gazetarëve vendas është jetik.
“Jam e bindur që parandalimi i aksesit ndërkombëtar, vrasjet e gazetarëve, sulmet ndaj mediave dhe ndëshkimi i mediave izraelite si Haaretz janë pjesë e një strategjie të qëllimshme nga Izraeli për të fshehur atë që ndodh në Gaza,” tha drejtoresha e CPJ-së, Jodie Ginsberg.
Ajo përmendi një rast kur një ekip i BBC-së u lejua të filmonte nga një avion ushtarak jordanez që hidhte ndihma në Gaza, por Izraeli ua ndaloi atyre filmimin e pamjeve të shkatërrimit në tokë. “Pamë si lejoheshin të filmonin hedhjen e ndihmave, por jo shkatërrimin kur u hapën dyert,” tha ajo.
Në korrik, Anas al-Sharif u bë viral në rrjetet sociale kur u shfaq duke shpërthyer në lot në transmetim live, teksa raportonte për urinë masive. Kalimtarët i kërkonin të vazhdonte, sepse ai ishte zëri i Gazës.
Pak më vonë, një zëdhënës ushtarak izraelit riktheu akuzat e mëparshme ndaj tij nga viti 2024 se Sharif ishte pjesëtar i Hamasit, duke e akuzuar atë për “falsifikimin e urisë masive” si pjesë e një “fushate të rreme të Hamasit për urinë”.
CPJ paralajmëroi menjëherë se këto akuza të pabazuara përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e tij. “Këto akuza të reja janë një përpjekje për të krijuar justifikim për ta vrarë Sharif-in,” tha drejtoresha rajonale e CPJ, Sara Qudah.
Sharif vetë, e kishte paralajmëruar vdekjen e tij, duke lënë një mesazh në rrjetet sociale:
“Nëse këto fjalë ju arrijnë, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të më mbyllë zërin.”
Izraeli publikoi më pas një dosje dokumentesh që pretendonte se lidhnin Sharif me Hamasin, por dokumentet ndalen në vitin 2021, dy vjet përpara fillimit të luftës, dhe nuk përfshijnë asnjë referencë për daljet e tij publike të rregullta në ekran.
Pretendimi se një nga gazetarët më të spikatur të Gazës, i ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme, mund të ketë udhëhequr një njësi të Hamasit gjatë luftës, është pak të thuhet jorealist.
Edhe në rastin e Ismail al-Ghoul, një tjetër gazetar i Al Jazeera-s i vrarë vitin e kaluar, Izraeli publikoi dokumente ku pretendonte se i ishte dhënë “gradë ushtarake” në moshën 10-vjeçare.
Megjithëse provat e ofruara ishin kontradiktore dhe të paqarta, vetë ekzistenca e këtyre dosjeve tregon për shqetësimin e Izraelit ndaj presionit ndërkombëtar, dhe nevojën për të dhënë, të paktën në dukje, përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Por, pavarësisht këtij presioni, Izraeli nuk ka ofruar ende asnjë shpjegim për vrasjen e katër kolegëve të Sharif-it, të cilët ishin civilë të vrarë në vendin e tyre të punës.
Ginsberg e cilëson këtë si një paralajmërim se rreziqet për gazetarët janë rritur në mënyrë ekstreme.
“Ajo që më habit është se nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për t’i justifikuar këto vrasje të tjera,” tha ajo. “Pra, po pranojnë vrasjen e këtyre gazetarëve, duke ditur që ishin gazetarë.”
“Sipas meje, kjo bëhet për të përhapur frikë, për të treguar se Izraeli mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk do të reagojë.”
“Nëse jemi në një pikë ku Izraeli mund të targetojë hapur një ekip të tërë lajmesh, çfarë kuptimi ka kjo për sigurinë e çdo gazetari tjetër që punon atje? Kush e ka radhën më pas?”
Historiani francez Jean-Pierre Filiu, i cili kishte marrë një leje të rrallë për të hyrë në Gaza për kërkime akademike gjatë konfliktit, tha për gazetën Haaretz pas një muaji kërkimi:
“Tani e kuptoj pse Izraeli refuzon të lejojë median ndërkombëtare të hyjë në këtë skenë të tmerrshme.”
Ai shtoi: “Edhe pse kam qenë në shumë zona lufte, nga Ukraina në Afganistan, Siri, Irak dhe Somali,nuk kam përjetuar kurrë, por kurrë, diçka si kjo.”