Dritë në tunelin e Rrugës së Arbrit, po me çfarë kostoje?

27 December 2023, 17:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritë në tunelin e Rrugës së Arbrit, po me çfarë
Tuneli i Murrizit

Sali Berisha hyri në fushatën e zgjedhjeve të 2013-ës me kartën e ndërtimit të rrugëve. Mes premtimeve që u shpaloste votuesve në Dibër, gjatë asaj fushate, ishte edhe projekti dhe marrëveshja e arritur me një kompani kineze për ndërtimin e saj.

Kostoja që përllogaritej ishte diku te 250 milionë euro. Se si do të kishte shkuar fati i kësaj rruge nëse Berisha do të kishte marrë një mandate të tretë, kjo nuk dihet. Ajo që dihet është se Berisha vinte nga një përvojë premtimesh të pambajtura me Rrugën e Kombit dhe Rrugën e Elbasanit. Premtimet nuk u mbajtën as në pjesën e afateve të vendosura për ndërtimin e tyre, as në pjesën e kostos së tyre.

Ajo që dihet gjithashtu është edhe se mes premtimeve të para që Edi Rama bëri për dibranët pasi fitoi zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-ës ishte vijimi i projektit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Por, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.

Puna u ndërpre për dy për më shumë se dy vite. Me kinezët u prish marrëveshja, u tha se do të hynin amerikanët, madje në atë kohë u përfol kompania Bechtel, të cilës Rama së fundmi i dha hidrocentralin e Skavicës.

Përveç kësaj, Rama e konsideronte shifrën 250 milionë euro të fryrë për një rrugë të kategorisë C3. Në 2016-ën, Rama hapi garën për ndërtimin e saj dhe dibranëve u premtoi se nuk do të largohej nga karrigia e Kryeministrit pa përfunduar Rrugën e Arbrit.

Në 2017-ën u vendos që rrugën nuk do ta ndërtonin as kinezët dhe as amerikanët, por shqitparët. Fituese e tenderit të kontestuar u shpall Gjoka Konstruksion me ofertën për ndërtimin e rrugës me standardet C2.

Afati fillestar për përfundimin e punimeve u caktua 2022, por ky afat u shty me dy herë të tjera dhe tashmë ka shkuar të paktën në fund të vitit të ardhshëm. Zyrtarisht si kompania, ashtu edhe Qeveria kanë deklaruar se shkak është bërë tuneli i Murrizit dhe përbërja e paqëndrueshme e nëntokës që vështirësoi shpimet në të.

Sot një vit e ca pas skadimit të afatit të vendosur në kontratë, vetë Edi Rama dhe Belinda Balluku, shoqëruar nga përfaqësuesit e kompanisë Gjoka njoftuan se doli dritë në fund të tunelit të Murrizit. Ajo që nuk thanë është se me çfarë kostoje.

Në lidhje me koston e këtij koncesioni, ashtu si shumë koncesione të tjera Qeveria është hermetike. As të dhënat zyrtare të performancës vjetore të koncesioneve, që si rregull duhet të publikohen brenda gjysmës së vitit, për vitin 2022 nuk janë ende publike. Nga Ministria e Financave thonë se vonesat në lidhje me këtë raport lidhen me mosdorëzimin e të dhënave nga autoritetet kontraktore. Për Rrugën e Arbrit, autoritetet përgjegjëse janë Ministria e Infrastrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në mungesë të të dhënave të plota të viteve të fundit, po u referohemi të dhënave zyrtare të disponueshme për vitin 2020, ku ka një kakofoni shifrash mes Ministrisë së Financave, asaj të Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të 2021, Rruga e Arbrit do të kushtonte rreth 220 milionë euro, ose 60 milionë euro më pak se parashikimi fillestar. Nga ana tjetër, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë po në 2021 se rruga do të kushtojë 330 milionë euro.

Këtyre shifrave u shtohen zyrtarisht edhe të paktën 20 milionë euro, që kompania Gjoka Konstruksion kërkoi shtesë për ndryshimin e projektit të tunelit, kostoja shkon në 350 milionë euro.

Sot, pesë vite nga nisja e punimeve dhe 7 vite nga premtimi që Edi Rama u bëri dibranëve se nuk largohej nga zyra e Kryeministrit pa përfunduar rrugë, i vetmi premtim i mbajtur është ky i fundit. Rruga nuk ka përfunduar dhe Rama është ende Kryeministër.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video