Ka vite që qeveritë shqiptare harxhojnë me miliona lekë për strategji, ligje e rregulla se si ta bëjnë vendin më tërheqës për investitorët të huaj e vendas. Por, sa më shumë investohej në këtë drejtim, aq më shumë shtoheshin raportet e shqetësimet e investitorëve të huaj që problematike ngrinin korrupsionin si pengesën më të madhe.
Zgjidhja që ka gjetur qeveria shqiptare për të adresuar këto shqetësime është gjeniale dhe nga ato që vështirë se gjen edhe në Sulltanatin e Bruneit, apo Azerbajxhanin e Alijevit. Si e tillë, kjo zgjidhje nuk kërkon harxhimin e kohës me hartime strategjish, ligjesh, rregullash e parash.
Është e thjeshtë fare; shpallim investitorë strategjikë bashkëshortët e bashkëshortet e qeveritarëve dhe t’ua shmangim kusuret e fshehjes pas kompanive të huaja amerikane e ndërkombëtare. Ky kusur duhej kursyer në rastin e shpalljes investitor strategjik të Artan Gaçit, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Madje duhet shndërruar në praktikë dhe të gjithë ministrat, madje edhe vetë Kryeministri të shpallin veten, bashkëshortët e bashkëshortet e tyre investitorë strategjikë. Efekti pozitiv i kësaj strategjie investitorësh do të ishte i menjëhershëm, sepse të paktën do të eliminohej ryshfeti...se ryshfeti s’mund t’i jepet vetvetes.
Qeveria i ka dhënë Artan Gaçit statusin e investitorit strategjik që në shkurt të 2021-t, por vendimi nuk figuron në faqen zyrtare të Komitetit të Investimeve Strategjike. Mendjet e liga mund të mendojnë se kjo është një aferë korruptive mospublikimi i këtij vendimi është bërë për ta mbajtur të fshehtë këtë aferë.
Por nuk na qenka kështu, të paktën sipas bashkëshortit të ministres së Jashtme. Ai ka dalë hapur, ka pranuar se është investitor strategjik, madje se e meriton që të jetë investitor strategjik më shumë se të tjerë, sepse po ndërton një hotel në një nga plazhet më të bukura të Himarës, në një kohë që investitorë të tjerë strategjikë ndërtojnë vila.
Përveç kësaj, investitori strategjik Artan Gaçi ndjehet edhe i diskriminuar nga fakti që është bashkëshorti i ministres. “Nuk ka asnjë abuzim këtu, thjesht po vuaj pasojat që jam burri i ministres”, ka deklaruar ai në një prononcim për mediat.
Ai thotë se po penalizohej, se nuk kishte konflikt interesi dhe këtë ja “kanë garantuar gjithë juristët që ka pyetur”. Çudia është se nga gjithë juristët që ai ka pyetur, juristja e kompanisë së tij rezulton edhe juriste e kompanisë ‘amerikane’, që është themeluar në Shqipëri tre muaj pas marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Rastësia tjetër është se shtetasja amerikane që zotëron kompaninë në fjalë vjen nga Masaçusetsi, shtet i SHBA ku ministrja Xhaçka ka jetuar dhe është shkolluar për disa vite.
Vërtet këtu ka shumë çudira, por kaq hapur nuk kishin pasur guximin askush që ta bënte. Prandaj kjo është e tepërt zoti Kryeministër!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.