Loja e Beogradit, a u bë vërtet properëndimor me votën kundër Rusisë në OKB

2 March 2022, 19:17Pikëpamje SHKRUAR NGA VOX NEWS

Loja e Beogradit, a u bë vërtet properëndimor me votën

Serbia ka refuzuar sanksionet e vendosura nga i gjithë Perëndimi për Rusinë, nuk ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave ruse publikisht dhe as e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Por, vota pro për rezolutën e sponsorizuar nga SHBA, Shqipëria dhe 92 vende të tjera në Asamblenë e Jashtëzakonshme të OKB-së këtë të mërkurë e rendit, sipas Kryeministri Edi Rama, në krah të Perëndimit.

“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës!Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, shkruan Rama.

Por, a mund të tregojë kjo votë se Serbia është shkëputur nga Moska dhe ka zgjedhur Perëndimin? Vështirë se mund të thuhet po. Rezolutat e OKB-së kanë vite që janë kthyer në copa letre që Rusia i shpërfill. Në Siri, Gjeorgji dhe deri në Krime OKB ka reaguar me dokumente e rezoluta të ngjashme, por në asnjë rast ato s’e kanë penguar Moskën që të vazhdojë përpara me planet e saj.

E duket e ditur peshën e tyre, Beogradi mund të ketë marrë më parë “bekimin” e Moskës për të votuar kundër interesave të saj, sepse fundja fare ëshë një votë me efekt simbolik, por pa asnjë mekanizëm forcues për ta vënë atë në zbatim.

Kjo është arsyeja se shumë diplomatë e politikanë ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe ish-shefi i diplomacisë amerikane, Henry Kissinger kanë bërë thirrje për reformim të OKB-së dhe sidomos të Këshillit të Sigurimit, ku njëri nga propozimet është heqja e të drejtës së vetos dhe fuqizimi i trupave paqeruajtëse të organizatës.

Prandaj, përsa kohë Serbia zgjedh t’i bashkohet Perëndimit me votën pro në dokumente që për Rusinë janë thjesht copa letre pa vlerë dhe refuzon t’i bashkohet me vepra, si sanksionet, Beogradi nuk mund të rreshtohet me Perëndimin.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video