Berisha më në fund zhvendosi betejën nga Lulzim Basha tek SHBA

21 February 2022, 20:58Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE

Berisha më në fund zhvendosi betejën nga Lulzim Basha tek SHBA

Prej 9 shtatorit deri më sot, Sali Berisha e ka fshehur luftën kundër SHBA, me luftën kundër Lulzim Bashës. Pra duke pasur frikë se trembë mbështetësit, për t’iu kundërvënë SHBA-së, ai gjeti si tabelë qitje Lulzim Bashën dhe e maskoi luftën kundër SHBA me luftën kundër Lulzim Bashës.

Tani e tutje, besoj deri më 6 mars, po bën të kundërtën. Sali Berisha po kërkon të fshehë luftën elektorale kundër Lulzim Bashës, me luftën kundër SHBA.

Këtë e tregojnë reagimet e sotme të Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, pas një postimi të ambasadores së SHBA në Tiranë, mbi mungesën e perspektivës politike për këdo që voton kandidatët që udhëhiqen nga një i dizajnuar prej SHBA për korrupsion thelbësor.

Reagimet agresive, tregimi i “vijës së kuqe” për ambasadoren, apo akoma më vulgare, akuzat se ajo paguhet nga Edi Rama, tregojnë dëshirën që ka Berisha dhe çeta e tij, që zgjedhjet t’i konsiderojnë si referendum anti-amerikan.

Duke parë se beteja ndaj Lulzim Bashës nuk ngjit më në opinion dhe nuk është më problem i shqiptarëve, por i Sali Berishës, për të mobilizuar mbështetësit e tij deri më 6 mars, ai po përpiqet të shkëmbejë Lulzim Bashën me Yuri Kim dhe ta konsiderojë 6 marsin, betejë kundër SHBA.

Në fakt, kjo është dhe beteja e vërtetë e Berishës. Beteja e tij deri tani ka qenë fals. Deri më tani, ai përpiqej të fshihej pas “pantallonave të shkurtra” të Lulzim Bashës, për të sulmuar SHBA, për shkak të ndëshkimit të përjetshëm që ajo i ka bërë.

Kthimi në normalitet, zëvendësimi i Lulzim Bashës me Yuri Kim dhe zëvendësimi i betejës kundër PD, me betejën kundër SHBA, është një akt legjitim i Sali Berishës.

Të gjithë e pranojmë që derisa ligji shqiptar ja lejon akoma të marrë pjesë në jetën politike, ai është në jetën politike vetëm si anti-amerikan. Kjo është e kuptueshme nga të gjithë. Kur ti ndalohet me ligj pjesëmarrja në jetën politike, është çështje tjetër

Prej 9 shtatorit, ai ishte i kompleksuar nga ky fakt dhe po përpiqej të mashtronte njerëzit se kishte betejë me Lulzim Bashën. Sot ka dalë në fushë me uniformën e tij reale dhe me kundërshtarin e tij real.


Pra siç e kanë thënë njëzëri dhe mbështetësit e tij, 6 marsi është një referendum shqiptar, ku zgjedhësit në gjashtë bashki do shprehen a janë me SHBA, a me Berishën.

Dikur në kohë të Titos, Jugosllavia merrte pjesë në Olimpiada ndërkombëtare në gara ku nuk fitonte asnjë titull. Duke bërë humor, një gazetar serb që tallej gjithnjë me këtë ritual, pasi nuk fitonin kurrë ndonjë titull, thoshte “me rëndësi është pjesëmarrja”.

Edhe pse e dimë rezultatin e 6 marsit, ai nuk ka shumë rëndësi. Është me rëndësi që Berisha po e pranon se do hyjë në betejë me SHBA. Të paktën Lulzim Basha shpëtoi nga të qenit tabelë qitje fallco. Njësoj si në kohën e zborit në komunizëm, tani në tabelë të qitjes, nuk është më fytyra e Lulit, por është daja Sam. Dhe siç e thamë, “me rëndësi është pjesëmarrja”.


Video