Një postim i Yuri Kim paraditen e së hënës, ku ngriti një sërë pyetjesh për kandidatët e zgjedhjeve vendore të pjesshme të 6 marsit ndezi akuzat e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, që thonë se ambasadorja “po thotë në anglisht fjalimet e Ramës në shqip”.
Akuzat e detyruan ambasadoren që të sqarojë dhe kujtojë të gjitha mediave dhe publikut shqiptar se kur pyeste kandidatët se çfarë ‘u detyroheshin personave non grata që i mbështesnin’, nuk e kishte vetëm për Sali Berishën, por edhe për Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, gjithashtu të shpallur non grata në SHBA.
Dako po bën fushatë për Emirjana Sakon në Durrës, ndërsa Tom Doshi është angazhuar për kandidaten e Partisë Socialiste në Shkodër, Majlinda Angoni. Ky ishte sqarimi publik i SHBA dhe Yuri Kim, që megjithëse në Shqipëri ka krijuar statutin e një diplomateje të drejtpërdrejt, sigurisht që disa informacione, ndoshta ato më të rëndësishmet i kufizon brenda kornizave të diplomacisë.
Prandaj, sado të fshihen pas mashave të tyre në fushatë, Vangjush Dako në Durrës dhe Tom Doshi në Shkodër, informacionet që mbërrijnë në Rrugën e Elbasanit nuk mund të vihen në dyshim dhe mashat kanë dalë zbuluar, sepse përvoja dhe përfshirja aktive në politikën shqiptare i ka bërë amerikanët e Tiranës që të na njohin më mirë nga se mund të mendojmë se e njohim njëri-tjetrin.
Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja e vizitës së fundjavës së Ambasadores në Shkodër, e shoqëruar nga Luigi Soreca dhe kolegë të selive diplomatike kryesore europiane në vendin tonë. Vizita dhe ftesa për të braktisur mbështetjen për personat e shpallur ‘non grata’ si të korruptuar nuk lidhet vetëm me shqiptarët.
Ajo është edhe në linjën e interesave amerikane në Shqipëri, sepse, që kur SHBA është investuar për reformën në drejtësi, syri i tyre i “Big Brother” është bërë edhe më i vëmendshëm dhe pavarësisht akuzave për njëanshmëri, heshtje e akuza të tjera të këtij lloji që mund të hidhen, çdo formë e përpjekje për pirueta nga politika shqiptare mbahet shënim dhe pritet momenti i duhur për të goditur. Shembulli perfekt për këtë është Sali Berisha, që statusin si ‘i korruptuar’ nga SHBA e mori 11 vite pasi po një ambasador i SHBA e quajti ‘burrë shteti’.
Pak para Berishës këtë damkë amerikane e kishin marrë Vangjush Dako e Tom Doshi. Për të dy amerikanët kërkuan largimin nga politika. Por, që të dy janë larguar vetëm formalisht. Ata janë ende aktivë, Dako si njeriu kyç i fushatës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit dhe Doshi me tre deputetët e siguruar nën siglën e PSD-së, e që sot janë njësh me mazhorancën. Ashtu si me Berishën, edhe për këto dy raste shënimen në Rrugën e Elbasanit me siguri janë mbajtur, jo për të ndëshkuar Dakon e Doshin, por për të plotësuar dosjen e radhës ‘non grata’.
Megjithatë, duke qenë se Sali Berisha është i vetmi nga lista treshe e ‘non gratave’ që po e sfidon hapur Ambasadën e SHBA, atij dhe mbështetësve të tij u dogji më shumë kjo deklaratë. Edi Paloka të interpretonte deklaratën e Ambasadores si thirrje për të votuar kandidatët e korruptuar të Edi Ramës, duke harruar se si i korruptuar është shpallur non grata njeriu pas të cilit ai po rend sërish.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.