A po i kushton Netanyahut aleanca me Trump karrierën e tij politike?

30 September 2025, 20:41Pikëpamje SHKRUAR NGA LUCY WILLIAMSON
A po i kushton Netanyahut aleanca me Trump karrierën e tij politike?
Benjamin Netanyahu

Lucy Williamson – BBC News

Benjamin Netanyahu premtoi “fitoren totale” për Izraelin, por të hënën, kur qëndronte në krah të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që dukej i mundur. Kryeministri izraelit foli me fjalët e duhura për marrëveshjen e paqes që sapo kishte firmosur, por toni i tij ishte i dobët, zëri i lodhur dhe energjia e zbehur, ndërsa e quajti Trump “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.

Kjo miqësi, megjithatë, mund t’i kushtojë atij qeverinë. Aleatët e tij të ekstremit të djathtë, si Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, kanë paralajmëruar se do të largohen, duke e çuar drejt kolapsit koalicionin qeverisës, nëse Netanyahu bën shumë lëshime për t’i dhënë fund luftës. Ata nuk e kanë fshehur dëshirën për të aneksuar Gazën, për të dëbuar palestinezët dhe për të rikthyer vendbanimet hebraike atje.

Po ashtu, si ata edhe vetë Netanyahu, kanë qenë kategorikisht kundër çdo roli të Autoritetit Palestinez në Gaza dhe kundër çdo rruge që mund të çojë drejt një shteti palestinez. Por marrëveshja e re, me shumë rezerva, parashikon pikërisht këto elemente.

Trump e di mirë se duke e shtyrë Netanyahun në këtë marrëveshje, po e detyron të rrezikojë qeverinë e tij. Në këmbim, atij i ofrohet mundësia e një trashëgimie historike: një e ardhme më paqësore për rajonin dhe lidhje të reja mes Izraelit dhe fqinjëve arabë.

Shenjat se ky moment po afronte u dukën edhe përpara udhëtimit të Netanyahut në Uashington. Presidenti izraelit, Isaac Herzog, deklaroi në një intervistë radiofonike se po mendonte ta falte Netanyahun për akuzat e korrupsionit me të cilat përballet në gjykatë. Pikërisht këto procese, sipas kritikëve, janë një nga arsyet pse Netanyahu nuk dëshiron të largohet nga pushteti, pasi pa “mburojën” e postit të tij, do të përballej drejtpërdrejt me drejtësinë.

Megjithatë, edhe oferta politike që i bëhet tani, një trashëgimi rajonale në këmbim të qeverisë dhe ndoshta të gjithë karrierës së tij, nuk duket ta ketë bindur plotësisht. Në reagimin e parë pas nënshkrimit, Netanyahu u përpoq të siguronte publikun izraelit se nuk ka pranuar një shtet palestinez. “Absolutisht jo. Nuk është shkruar as në marrëveshje”, tha ai para kamerave. “Por kemi thënë një gjë, se do ta kundërshtojmë me forcë krijimin e një shteti palestinez.”

Raportime nga media izraelite theksojnë se kabineti nuk do të votojë për kushtet e plota të marrëveshjes, por vetëm për shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë. Kjo ngre pyetjen: çfarë strategjie po ndjek Netanyahu? A po përpiqet ai të mbajë koalicionin gjallë mjaftueshëm për të manipuluar sërish opinionin publik, në një kohë kur sondazhet parashikojnë humbje për të në zgjedhje? Apo thjesht po shpreson që Hamasi ta refuzojë marrëveshjen, ose të mos ketë kontroll mbi komandantët e tij në Gaza, dhe që lufta të mos ndalet fare?

Në konferencën e tensionuar për shtyp në Uashington, Netanyahu e theksoi me mbështetjen e Trump se Izraeli do të ketë duart e lira për të “përfunduar punën” nëse Hamasi nuk zbaton detyrimet. Në këtë prizëm, kjo marrëveshje, sado e vështirë për t’u shpjeguar, mund të jetë çmimi i vazhdimit të mbështetjes amerikane për luftën.

Netanyahu njihet si mjeshtër i manovrave politike, duke fituar kohë mes bllokadave të shumta. Ai ka kaluar edhe më parë nëpër negociata dhe armëpushime, për t’u tërhequr në momentin kur diskutohej përfundimi përfundimtar i luftës. Shumëkush beson se ai kurrë nuk ka pasur synim të negociojë fundin e konfliktit, por vetëm kapitullimin e Hamasit sipas kushteve të Izraelit. Por është e vështirë të ruash imazhin e “fitores totale” në momentin kur pranon publikisht pikat që e ke kundërshtuar për një karrierë të tërë – dhe ndërkohë pret reagimin e armikut.

Për herë të parë që prej nisjes së luftës, duket se pasojat e refuzimit të marrëveshjes janë më të rënda sesa pasojat e pranimit të saj. Dhe një pyetje e rëndë mbetet pezull: nëse Trump e detyroi Netanyahun të zgjedhë mes aleatit në Uashington dhe aleatëve në qeveri, pse nuk bëri të njëjtën gjë Joe Biden në momentin kur një marrëveshje e ngjashme ishte mbi tavolinë nëntë muaj më parë kur edhe 30 mijë palestinezë të tjerë në Gaza ishin ende gjallë?


Video