"Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë është ende aktiv", Ministria e Mbrojtjes jep informacion për situatën e zjarreve në vend

27 July 2024, 11:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë
Zjarr në Lushnje

Situata nga zjarret në vend vijon të jetë problematike. Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave.

Sipas ministrisë vijojnë që të jenë aktive vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private.

Njoftimi i Ministrisë

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave. Sot mbeten aktive vatrat në:

– Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private.

– Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të Bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intesitet të ulët. Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish-Kampi të këtij fshati.

– Po në këtë bashki zjarri, në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.

– Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.

– Vijon zjarri në fshatin Zogaj, Bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një helikopter i KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.

Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe FA do të vijojnë të jenë në ndihmë të komunitetit në bashkëpunim me pushtetin vendor.


Video