
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 8 vite burg të 17- vjeçarit Florian Përvathi, i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatari.
Konkluzionet përfundimtare në lidhje me këtë çështje janë dhënë nga prokurori Sabri Kastrati, për akuzat “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Organi i akuzës ka arritur të provojë se i riu e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë, në vitin 2009, kur ishte vetëm 4-vjeç, ndërsa armën pistoletë e kishte siguruar në Shkodër rreth 1 vit para ngjarjes.
Tashmë, do të jetë pala mbrojtëse që do të japë konkluzionet e më pas pritet që trupa gjykuese të shprehet me vendim në lidhje me këtë çështje.
Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, mesditën e 24-janarit të këtij viti në fshatin Manati të Lezhës, sapo viktima kishte hyrë me makinë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij.
Menjëherë pas krimit, u vetëdorëzua në Polici, duke treguar dhe motivet e ngjarjes. Aktualisht, i riu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit për të Mitur në Kavajë.