
Është ekstraduar nga Gjermania drejt vendit tonë Genc Tafili. Ai u arrestua në Janar të këtij viti nga policia gjermane, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari.
Ky i fundit u vra në vitin 2000, pas një shkëmbimi zjarri me dy vëllezërit Admir e Genc Tafili, teksa ndodhej në krye të detyrës gjatë drejtimit të një operacioni kundër dy personave të kërkuar.
Burime bëjnë me dije se Genc Tafili është dërguar në burgun e Fierit. Avokati i Genc Tafilit, Sokol Koçiu ka deklaruar se Tafili ka pranuar ekstradimin ndërsa ka shkuar se brenda pak ditësh do të dorëzojnë kërkesën për lirim me kusht sipas ligjit.
“Ka pranuar ekstradimin, për pak ditë dorëzojmë kërkesën për lirim me kusht sipas ligjit”, ka deklaruar ai për gazetën Panorama.
Kush është Genc Tafili dhe historia e familjes së tij?
Gjithçka ka nisur në 2 gusht të vitit 2000. Bahri Tafili, babai i Genc Tafilit ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte autor i vrasjes së Gëzim Gecit, pas një konflikti për çështje pronësie.
Asokohe, shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi dhe disa efektivë të tjerë po kryenin një kontroll rutinë, kur vunë re se Bahri Tafili u largua me vrap dhe u mbyll në banesë.
Menjëherë nisën tentativat për ta arrestuar, por Tafili dhe djali i tij Genci qëlluan me armë drejt forcave të policisë.
Në kushte të tilla, shefi i policisë Pjetrushi kërkoi përforcime dhe në krye të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vihet Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.
Pas disa minutash breshëri plumbash Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari mori një plumb në gjoks dhe ndërroi jetë pak orë më pas në Spitalin e Shkodrës.
Ndërkohë i vdekur mbeti edhe Bahri Tafili, i ati i Genc Tafilit. Pas ngjarjes autoritetet arrestuan Gencin, i cili u dënua me 25 vjet burgim, por pas 17 vitesh në qeli Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha e liroi me kusht.
Çfarë ndodhi më pas? Teksa Genci ndodhej në qeli, djali tjetër i Bahri Tafilit, Admiri nisi të vërë në zbatim planin për “Ekzekutimin e Prelë Pjetrushit”, pasi dyshonte se ai ishte shkaktari i vrasjes së babait.
Pjetrushit iu bë atentat teksa ndodhej me shërbim në komisariatin e Malësisë së Madhe dhe mbetet i plagosur rëndë.
Si autor i ngjarjes u dyshuar Admir Tafili dhe disa muaj më vonë arrestohet nga policia, ndërsa oficeri i lartë i policisë Prelë Pjetrushi u largua nga Shqipëria për arsye sigurie.
Admir tafili njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë. Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni policie Tafili arrestohet në Tiranë.