Vrasja e ish-policit ‘Doda’, Gjykata e Elbasanit shpall të pafajshëm Donald Hoxhën

30 December 2025, 19:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja e ish-policit ‘Doda’, Gjykata e Elbasanit shpall të
Roland Rexhepi

Gjykata e Elbasanit ka shpallur të pafajshëm këtë të martë Donald Hoxhën, një prej personave të akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e ish-efektivit të Krimeve, Roland Rexhepi, i njohur si “Doda”.

Për ekzekutimin e ish-efektivit të antidrogës janë arrestuar deri tani katër persona: Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar nga Gjermania në janar 2022, si dhe Donald Hoxha. Në kërkim rezulton G.B.

Të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekutuar ish-oficerin e krimeve.

Prokuroria pritet të ankimojë pafajësinë e dhënë ndaj Donald Hoxhës, i cili akuzohej për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim.

Vrasja e ish-policit ‘Doda’ është një nga ngjarjet më të bujshme që ka shënuar një valë vrasjesh në Elbasan gjatë dy dekadave të fundit.

Si u vra Roland Rexhepi

Ekzekutimi i Roland Rexhepit u realizua mëngjesin e 23 korrikut 2009. Ai mbeti i vdekur në vend, pasi ndaj tij u qëllua me breshëri nga dy armë automatike, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por provat e ADN-së të siguruara nga një motor, bishta cigaresh dhe një kapuç ndihmuan në identifikimin e autorëve.

Edhe pse dy të dënuarit nuk kanë pranuar kurrë krimin, krahasimi i ADN-së bëri të mundur identifikimin e tyre. Në rastin e Florind Shabanit, provat ADN u siguruan nga autoritetet gjermane, pasi ai ishte i dënuar në Gjermani për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare krahasuan ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.

Pas ngjarjes, një atentat tjetër ndodhi dy vite më vonë, kur në qendër të Elbasanit u vra biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit. Ai u ekzekutua më 30 dhjetor 2011, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë treguan një person që largohet duke çaluar, pasi biznesmeni kishte kundërpërgjigjur me armë, por humbi jetën pak momente më vonë.


Video