Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Koçiu shpreh ngushëllimet për ngjarjen, dhe sqaron se Policia e Shtetit nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve brenda ndërtesave të gjykatave në vend.
Gjykatat ruhen nga kompani me roje private, ndërsa mbetet e paqartë se si ka arritur të hyjë i armatosur në sallë autori i krimit të rëndë, duke kaluar edhe rojen e sigurisë, por edhe skanerin elektronik të vendosur te hyrja kryesore.
Reagim i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:
Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit - të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave - kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.