Laert Keka u godit nga pas me makinë nga autorët dhe më pas u ekzekutua. Policia e Vlorës ka rindërtuar dinamikën e vrasjes që tronditi qytetin bregdetar mbrëmjen e së shtunës, me viktimën i cili lëvizte me motor në momentin që u ekzekutua.
Dyshohet se 41-vjeçari ka shquar autorët teksa e ndiqnin me makinën tip ‘Audi’ dhe në tentativë për t’u larguar ata e kanë përplasur.
Megjithatë dhe pas kësaj viktima është përpjekur të largohet me vrap, duke përshkruar vetëm disa metra pasi vrasësit e qëlluan atë nga afër me gjashtë plumba pistolete.
Kamerat e sigurisë në zonë konsiderohen me tepër rëndësi për hetuesit të cilët shpresojnë se përmes tyre të bien në gjurmët e autorëve të cilët dyshohet se ishin 3 persona.
Për identifikimin e tyre në polici janë shoqëruar dhjetëra persona, por deri tani grupi hetimor nuk ka ende asnjë të dyshuar.
Dy janë pistat e hetimit që po verifikohen nga prokuroria dhe policia.
Konkretisht ajo e hakmarrjes, si dhe ndonjë konflikti të mundshëm të kohëve të fundit ku viktima mund të ketë qenë i përfshirë.
41-vjeçari, Laert Keka i njohur dhe si Leartiad Lekaj nuk është një emër i panjohur për policinë. Vite më parë ai ka qenë i dënuar për grabitje me pasojë vdekjen në Vlorë, ndërsa gjithashtu rezulton lidhje e ngushtë shoqërore me disa personazheve me rekorde kriminale në këtë qytet.