Në Pezinok të Sllovakisë u zhvillua ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Memorandumit të binjakëzimit ndërmjet Bashkisë së Mirditës dhe asaj të distriktit Pezinok. Marrëveshja u firmos nga kryetarët e bashkive përkatëse, z. Albert Mëlyshi dhe z. Roman Mács, në prani të personaliteteve të larta diplomatike.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i Shqipërisë në Bratislavë, z. Arten Hanku, Ambasadori i Sllovakisë në Tiranë, z. Albin Otruba, si dhe Presidenti i Rajonit të Bratislavës, z. Juraj Droba.
Ky binjakëzim, i mbështetur nga ambasadat respektive, synon forcimin e bashkëpunimit mes dy bashkive në fusha me interes të përbashkët, si zhvillimi prodhues, arsimi, kultura dhe ruajtja e traditave folklorike. Gjithashtu, marrëveshja do të shërbejë si një urë e re miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet popullit shqiptar dhe atij sllovak.
Ky hap i rëndësishëm pritet të hapë rrugën për projekte konkrete që do të afrojë më shumë komunitetet e Mirditës dhe Pezinokut.