Policia e Rrogozhinës ka dhënë informacion zyrtar për vdekjen e futbollistit të ekipit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Policia thotë se kapiteni i Egnatias u transportua me ambulancë në Spitalin e Kavajës, ku ndërroi jetë.
“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes”, njofton policia.
28-vjeçari u shemb në fushë gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, dyshohet pas problemeve me zemrën. Raportohet se futbollisti kishte pasur probleme me zemrën dy herë edhe në të kaluarën.

Informacion paraprak nga policia:
Në stadiumin "Arena Egnatia", ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës "Abisnet Superiore", midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.
Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.