Brian Spahiu ka humbur jetën nga mbidoza e narkozës. Organi i akuzës ka administruar pak kohë më parë autopsinë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Shkaku i vdekjes ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”, thuhet në akt-ekspertizë.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ekspertim të dytë të rezultateve të autopsisë për shkaqet e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën në fillim të muajit tetor pas një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë në klinikën e mjekut Roland Xhaxho.
Mbetet e paqartë pse akuza ka kërkuar riekspertim, por burimet thonë se rezultatet e reja pritet të dalin në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, prokuroria vijon hetimet për rastin dhe ka marrë në pyetje ekspertët mjeko-ligjorë.
I vogli, Brian Spahiu gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 Tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private. Autopsia do të zbulonte shkaqet që çuan të voglin në reanimacionin e pediatrisë, pasi mbushi 14 dhëmbë në klinikën e anestezistit Roland Xhaxho e të bijës stomatologe, Ina Xhaxho.
Policia ka sekuestruar DVR e pamjeve filmike të ambjenteve të brendshme dhe të jashtme, për të kuptuar se në çfarë gjendje shëndetësore ka dalë nga klinika 3-vjeçari pasi mjeku pretendon se doli në gjendje të mirë, i zgjuar nga narkoza në krahët e babait.
Ndryshe pretendojnë familjarët që e kanë paditur si fajtor për vdekjen e djalit të tyre. Të dy, babë e bijë janë vënë në hetim në gjendje të lirë për neglizhencë në trajtimin mjekësor.