Kanë dalë sot para gjykatës së Durrësit dy vëllezërit Shpëtim dhe Roland Cani, 43 dhe 41 vjeç, të cilëve iu kap pak ditë më parë 25 mijë litra naftë kontrabandë brenda peshkarexhës së tyre "LEON".
Gjyqtari i seancës Paulin Çera vlerësoi të ligjshëm arrestimin e vëllezërve dhe vendosi masën e sigurisë "arrest në burg" për 20 ditë për Shpëtim Canin, kapiten i anijes dhe detyrim paraqitjeje për vëllain e tij, Roland Cani pjesë e ekuipazhit të anijes.
Vëllezërit u arrestuan më 7 shtator pasi anija e peshkimit u kap në det të hapur me mbi 25 mijë litra naftë. Çmimi i lartë i naftës në vendin tonë dyshohet se ka aktivizuar tregtinë e karburantit të blerë kontrabandë në Liban, ku në verë çmimi i karburantit, sipas deklaratave të peshkatarëve, ishte 0,25 dollarë për litër.
Disa ditë pas bllokimit të një anijeje peshkimi, autoritetet nuk kanë mundur ende të peshojnë sasinë e karburantit që ndodhet në depozitat e saj. Fillimisht u tha për 50 mijë litra naftë dhe më pas në komunikatën e Policisë u tha 25 mijë litra.