Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me tensionet dhe dhunën që po ndodh në veriun e Kosovës, ku u bë betimi i tre kryetarëve shqiptarë të komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut, dhe Zveçanit.
Në një postim në twitter, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier ka dënuar aksionin e policisë kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale dhe bën apel që të ndërpriten menjëherë masat e dhunshme të marra ditën e sotme
"Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë", ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Më pas ka ardhur një reagim dhe nga senatori amerikan Chris Murphy i cili këtë javë ishte në vizitë zyrtare në Kosova. Ai thotë se është i habitur për ngjarjet e ditës së sotme në veri të Kosovës dhe i bën thirrje kryeministrit të kosovës, Albin Kurti që të ndalë provokimet.
Murphy tha se në takimin që pati me kryeministrin Albin Kurti ditë më parë, ky i fundit nuk i ka folur për një plan të tillë nga ana e institucioneve të Kosovës.
“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam zënë totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”-thuhet në reagimin e senatorit amerikan.