Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme, ndërsa në rend dite është parashikuar që disa institucione si KQZ, Autoriteti i Dosjeve, ILDKPKI, INSTAT, të paraqesin raportin për veprimtarinë e vitit që lamë pas. Por, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi kërkon ndryshimin e rendit të ditës dhe në pikën e parë të fusin kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.
Këtë kërkesë, Bardhi e kishte paralajmëruar edhe ditën e djeshme pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku PS dhe PD ranë dakord për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt, por sot i drejtohet Kuvendit me një kërkesë zyrtare.
Në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë në Këshillin e Mandateve, PS dhe PD ranë dakord që t’i hiqnin mandatin e deputetit Arben Ahmetajt. Opozita e prezantoi që dje raportin e saj, ndërsa PS kërkoi më shumë kohë dhe tha se do ta paraqesë të premten, e ndërsa është vendosur që kërkesa e SPAK të futet rendin e ditës në seancën plenare të së hënës.
Avokatët e ish ministrit, që lanë mbledhjen pas prokurorëve, thanë se akuzat ndaj tij janë hamendësime, ndërsa refuzuan të thonë se ku ndodhet Ahmetaj. Sipas tyre SPAK po e bën çdo gjë për show dhe për të përbuzur pozicionin e deputetit.
Vetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtonte kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Sipas Zërit të Amerikës, nga verifikimet e sinjalit të celularit të Ahmetajt, rezulton se momenti i fundit i vendndodhjes të ketë qenë Kanadaja. Dyshohet se Ahmetaj është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit shkresën për arrestimin.
