Kompania “ANK shpk” e cila po punon për ndërtimin e segmentit rrugor, pjesë e Korridorit 8, ka nisur punimet për shembjen e pjesës së rrezikshme në zonën e njohur si "Kthesat e Dragostunjës", në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pas situatës së krijuar nga rrëshqitja e gurëve që solli bllokimin e qarkullimit.
Ndërhyrja e fadromave të kompanisë ANK kanë nisur hedhjen në rrugë të masivëve të gurëve e dherave, ndërsa aksi drejt juglindjes mbetet i bllokuar për shkak të shembjes së sotme.
Për zhbllokimin e rrugës kanë ndërhyrë edhe ekipet e mirëmbajtjes së firmës kontraktuese 2T.
"Në vend janë duke punuar mjetet dhe punonjësit e firmës ANK që punon për korridorin e 8 dhe firmës kontraktuese 2T që mirëmban aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë. Po punojnë 4 ekskavatorë dhe një fadromë. Po punohet për të hapur qarkullimin e mjeteve në njërën anë të aksit rrugor.", tha Prefekti i Qarkut Elbasan Ilir Bejtja.
Në të dyja senset e lëvizjes janë krijuar radhë kilometrike automjetesh, sipas raportimeve kanë kaluar mbi 20 kilometra.
Edhe gjatë ndërhyrjes për pastrimin e rrugës, janë regjistruar shembje të tjera, duke e vështirësuar punën e mjeteve dhe zgjatur kohën e zhbllokimit.
Udhëtarët mbeten në pritje të hapjes së aksit, ndërsa trafiku është paralizuar.
Firma kontraktore ka bërë të ditur se puna do të vijojë me ritme të shpejta dhe shpresohet që rreth orës 18:00 të arrihet hapja e rrugës për qarkullim.