Sot pritej të vendosej nëse ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi do të kalonin për gjykim, por seanca paraprake u shty sërish për shkak se mungonte avokati i Malltezit.
Gjyqtarja Davidhi vendosi që seanca e radhës të mbahet më 11 prill ora 10:00, ku do të vendosë nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina.
Tashmë që të pandehurit kanë përfunduar me mbrojtjen, është radha e prokurorëve që t’i përgjigjen pretendimeve të avokatëve. Më pas, gjyqtarja e seancës paraprake Flojera Davidhi pritet të vendosë më 11 prill për kalimin e dosjes për gjykim, që do të ishte përballja e vërtetë e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë.
Procesi vjen në këtë pikë pas gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve dhe mbi 6 muaj pasi Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë u morën të pandehur, ndërsa seanca e parë paraprake u zhvillua që më 24 tetor.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”. Ish kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.