Shqiptarët dhe pronat/ Valdrin Pjetri: Në 15 vitet e fundit janë falsifikuar dokumentacione të pronave në jug...

7 July 2025, 22:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqiptarët dhe pronat/ Valdrin Pjetri: Në 15 vitet e fundit janë
Valdrin Pjetri

Valdrin Pjetri, ish-kreu i Hipotekës së Tiranës ka diskutuar sot për çështjen e pronave.

I ftuar në emisionin "Log." në News24, Pjetri ka diskutuar për eksperiencën e tij si drejtues i një prej institucioneve më të rëndësishme në vend për regjstrimin e pronës. Në fjalën e tij, teksa në studio diskutohej lidhur me çështjen e pronës që në kohën e monarkisë deri në demokrati, Pjetri është shprehur se problemet më të mëdha me dokumentacionin e kanë pasur me periudhën post-komunizëm, pra pas viteve '90.

Eksperti theksoi se problemi thelbësor nisi me ligjin 7501, i cili shpërndau tokën bujqësore pas viteve ’90, por sipas tij, nuk e riktheu pronën tek i zoti.

"Deri në vitet ’45-’91 dokumenti i pronësisë ka ardhur i plotë dhe i saktë. Prona, edhe pse ishte sekuestruar nga reforma agrare pas vitit ’45, nuk ishte tjetërsuar realisht. Përjashto rastet kur ishte ndërtuar ndonjë shkollë, vepër publike apo spital. Problemet kryesore me pronat fillojnë pas vitit ’91. Ligji AMTP 7501 (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) për mendimin tim nuk e çoi pronën te i zoti. Ai krijoi një konflikt të ri dhe e thelloi më tej problemin e trashëgimisë dhe pronësisë. Edhe në diktaturë dokumentat janë ruajtur me fanatizëm. Problem ishte 7501 që pronën nuk e çoi tek i zoti. Ne në ASHK i dhamë shumë përparësi zyrës së ankesave. Në rast kur toka shitej nga Komuniteti Ekzekutiv, ne parashikuam në 2019 që këto prona t'i kalonim në pronësi të Bashkive. Kur konstatohet falsifikimi i një dokumenti të pasurisë, prokurori e kthen pronën shtet dhe asgjësohet dokumenti i falsifikuar”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, Pjetri.

Pjetri u shpreh më tej se falsifikimi i dokumentave të pronësisë në 15 vitet e fundit, ka prekur kryesisht jugun e Shqipërisë.

Pjetri tha se në 15 vitet e fundit, sidomos në jug të Shqipërisë, janë falsifikuar në masë aktet e pronësisë, duke përfshirë edhe tokë truall të shpërndarë nga ligji i tokës bujqësore.

“Disa nga këto prona janë regjistruar në hipotekë dhe kanë marrë leje ndërtimi, gjë që e bën të pamundur riparimin e dëmeve”, u shpreh ai.

Ai shtoi se një tjetër rrezik janë dokumentet e vjetra, që ruhen në arkiva dhe në mënyrë të padrejtë paraqiten si pronësi aktuale, duke shkaktuar konfuzione në sistem.

“Ka raste ku dokumente të viteve ‘30 paraqiten si prova pronësie, edhe pse janë vetëm pjesë e arkivit familjar. Gjykatat shpeshherë kanë krijuar mbivendosje dhe konflikte juridike,” tha eksperti Valdrin Pjetri.

Sipas tij, në vitin 2020, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) mori rolin kryesor në lëshimin e titujve të pronësisë për tokat që nuk ishin trajtuar më parë me ligjin 7501.

“Është ASHK-ja, përmes një task-force të ngritur, që propozon dhe lëshon titujt e pronësisë për tokat e pandara, të cilat nuk u përfshinë në procesin e ligjit 7501”, tha Pjetri.

Aktualisht, Pjetri është ekspert i trajtimit të pronave nëpërmjet kompanisë së tij "VP Consulting".


Video