Në rrjetet sociale u bë virale video në të cilën shfaqet një drejtues mjeti i cili po përdorte celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që punonjësi i Policisë e konstatoi, por nuk i vendosi gjobë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar duke njoftuar se inspektori I.Ç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Lushnjës është pezulluar nga detyra dhe po ashtu ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.
"Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqet një drejtues mjeti i cili përdorte celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe pa vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që punonjësi i Policisë e konstatoi por nuk i vendosi masë administrative në përmbushje të detyrave funksionale, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor I. Ç., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lushnjë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të Policisë, për shkelje të rëndë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë duke i garantuar për reagim të menjëhershëm".