Është zbardhur emri i 30-vjeçares, e cila ka ndërruar jetë 4 pas lindjes në maternitetin "Koço Gliozheni" në Tiranë.
Mësohet se viktima është shtetasja Mimoza Veizaj. Më 28 janar, ajo ka lindur në mënyrë natyrale një foshnjë rreth 5 kg dhe pasi ka qendruar rreth 48 orë në spital, është larguar për në banesën e saj në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Por, disa ditë pas lindjes Mimoza Veizaj është paraqitur sërish në spital me dobësi trupore dhe është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Familjaret thonë se të resë nuk i është bërë shërbim nga spitali. Ata thonë se Mimoza ka shkuar ne spital në 3 të natës dhe ka lindur në 3 pasdite. Familjarët thonë se nuk ka pasur asnjë shqetësim më përpara. Sipas tyre, 30-vjeçarja ka pasur dhimbje brinjësh dhe këmbësh.
"Nusja edhe në spital i kishte rënë të fikët. Fajin e ka doktori. Duhet të flasim me të e ta gjejmë nga se i ka ardhur. Nga gjilpëra e tepërt që i ka bërë ai apo nga dikush tjetër. Duan lekë këta qen se asgjë tjetër nuk ka këtu. Lindja shkoi shumë mirë. Faji është i doktorit. Fëmija ka lindur 5 kg, sipas atyre. Këtu loz leku, po dhe lekë shpëton kokën, po nuk dhe nuk shpëton i gjallë," kanë thënë familjarët.
Priten rezultatet e Mjekësisë Ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së pacientes.