SHISH regjistron shtim të aktivitetit të spiunëve të huaj në Shqipëri

19 April 2022, 16:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHISH regjistron shtim të aktivitetit të spiunëve të huaj

Agjenturat e shërbimet sekrete kundërshtare shtuan veprimtarinë e tyre gjatë vitit të kaluar në Shqipëri, ku aktiviteti kryesor është regjistruar edhe përhapja e lajmeve të rreme.

Kështu deklaroi para Komisionit të Sigurisë, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.

“Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik. Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jokonvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, deklaroi Bendo para deputetëve.

Lidhur me situatën në rajon gjatë vitit 2021, Drejtori i SHISH-it nënvizoi:

“Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.


Video