SPAK/ Dumani emëron Krajën dhe Xholin 'shefa', largon Nakuçin nga marrëdhënia me prokurorët e huaj

9 January 2023, 10:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SPAK/ Dumani emëron Krajën dhe Xholin 'shefa', largon

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka emëruar ish-drejtuesin e këtij institucioni Arben Krajën, shef të Marrëdhënieve me prokuroritë ndërkombëtare, duke zëvendësuar kështu prokurorin Ened Nakuçi.

Burime për VoxNews mësuan se edhe prokurori Adnan Xholi, i cili ishte kandidat për kreun e ri të SPAK është zgjedhur këtë të hënë kreu i seksionit kundër krimit të organizuar në Prokurorinë e Posaçme.

Ndërsa zgjedhja e zëvendës drejtuesit do të bëhet në një fazë tjetër. Pas plotësimit të shefave të sektorëve hapet gara dhe mandej zgjidhet zëvendëskryetari mes 3 krerëve të këtyre sektorëve.

Kujtojmë se disa muaj më parë gazetari Adriatik Doçi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion për të depozituar një kallëzim penal, ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Doçi pretendon se dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist. Në fashikullin e kallëzimit prej 26 faqesh, Doçi paraqet prova sesi shtetasi Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga këta dy prokurorë, ka përdorur kartën e tij bankare për të paguar udhëtimet ndaj Arben Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij Erjola Hoxha.

“Jo vetëm Arben Ahmetaj ka lëvizur me Klodian Zoton në vende të ndryshme, që ngre dyshime të forta për favorizim dhe një skemë korrupsioni, por Klodian Zoto edhe ka paguar, me kartën e tij të kreditit, pushimet e Arben Ahmetajt nëpër hotele ku arrin deri në 2000 euro nata. Provat janë gjetur nga rikuperimi i tre kompjuterave, të Klodian Zotos, dhe nga telefoni i Klodian Zotos.”

Në të gjitha hotelet që kanë qëndruar, çmimi për një natë varion nga 1.500 euro deri në 8.000 euro. Por pas kallëzimin e bërë në Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, një reagim ka ardhur edhe nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili mohoi të premten përmes një mesazhi t’i ishin paguar udhëtime jashtë shtetit nga Klodian Zoto.

“Nuk është e vërtetë. Akuza publike apo jo publike le të ketë. Nuk ka asnjë lidhje. Unë kam qenë në gjithë botën mbarë,”-tha Ahmetaj, i cili nuk pranoi të jepte detaje për udhëtimet e përmendura në kallëzim, duke thënë se i përkisnin jetës së tij private.

Deri më tani, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është prej një viti i arrestuar, deputetin socialist Alqi Bllako. Sa i përket inceneratorit të Elbasanit, 10 persona janë të pandehur, nga të cilët 4 janë në burg, 3 po hetohen në arrest shtëpie ndërsa 3 janë në kërkim, ndërsa për inceneratorin e Fierit janë nën akuzë 21 persona, por një pjesë e të akuzuarve janë të njëjta në të dy hetimet. 


Video