Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si edhe një sërë çështjesh rajonale e ndërkombëtare.
Gjatë takimit, Rama e nderoi Bin Zayed edhe me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, nderimi më i lartë publik i dhënë nga Kryeministri, në vlerësim të rolit të tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kreu i qeverisë ndau pamjet nga pritja që i bëri Bin Zayed në Aeroportin e Rinasit, të cilin e cilëson si një mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar.
“Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh;
Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë”, tha Rama në fjalën e tij.
Rama theksoi simbolikën e fortë të dekoratës shqiptare.
“E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot", vijoi Rama.
Kryeministri kujtoi me mirënjohje ndihmën që Sheikh Zayed i ofroi Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019.
“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm!
Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni”, theksoi Rama.