
Kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të ndikojë të çmimi i grurit e miellit në Shqipëri, por siguron se ky produkt nuk do të mungojë.
“Do thoni që lavdi Zotit (lufta) nuk kërcënon Shqipërinë nga pikëpamja ushtarake, por çmimet që në të gjithë botën u rritën si pasojë e valës së kundërt me pandeminë, tani vazhdojnë të rriten për shkak se faktikisht disa nga mallrat esencialë që kanë lidhje me tregun e Rusisë edhe të Ukrainës, gruri për shembull, nuk janë më në disponim siç ishin. Jo se do të mungojë, se kam vënë re që në disa vende ka pasur dhe një lloj paniku, që “hajde po shkojmë të marrim ushqime se do vijë lufta”, tha Rama.
Kryeministri foli gjatë mbajtjes së Këshillimit Kombëtar me qytetarët në Lushnje. Këtu ai ceku edhe Ballkanin e Hapur, duke nënkuptuar se edhe pas luftës në Ukrainë dhe qëndrimit të Serbisë kundër sanksioneve ndaj Rusisë, nuk do të tërhiqet nga kjo nismë.
Rama tha se nga Ballkani i Hapur ata që përfitojnë janë qytetarët dhe bizneset, që kursejnë kohë dhe para nga burokracitë e procedurat e shumëfishta të kontrolleve të eksporteve dhe importeve me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe në këtë nismë, sipas tij, nuk ka asgjë politike.