Rama i sulmoi/ Përfundon seanca në Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve, kur merret vendimi

20 January 2026, 18:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Rama i sulmoi/ Përfundon seanca në Kushtetuese për rritjen e
Godina e Gjykatës Kushtetuese

Ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese pas 7 orësh seanca me palë kërkuese Unionin dhe shoqatën e Gjyqtarëve, lidhur me kërkesën për rritjen e pagës së tyre.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, që pritet ta njoftojë brenda pak ditësh.

Në këtë seancë janë dëgjuar të gjitha palët, Unioni dhe Shoqata e gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi.

Në lidhje me këtë seancë për rritje të pagave, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shprehet se kjo është një farsë e shëmtuar. Ai shton se gjyqtarët janë kategoria më e paguar në Shqipëri, duke thyer edhe piramidën shtetërore të pagave në vend.

Kryeministri akuzoi shoqatat e gjyqtarëve se duan të marrin në dorë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave. Ai thotë se ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, e uron që Kushtetuesja mos të pranojë kërkesën e togave të zeza për rritje page.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar”, shkruan numri një i qeverisë.

Kryeministri Rama deklaroi se ka respekt për SPAK, që nuk iu bashkua kësaj marrëzie, në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

 

 


Video