
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për zhvillimin e projekteve arkeologjike nënujore, si dhe për aktivitetet e tjera që prekin drejtpërdrejt ose tërthorazi trashëgiminë arkeologjike dhe historike nënujore në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozim të ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dhe synon forcimin e mbrojtjes së pasurive kulturore nënujore.
Sipas vendimit, rregullat e reja zbatohen për:
projektet arkeologjike nënujore të zhvilluara nga institucione shtetërore apo subjekte private të licencuara;
çdo aktivitet kërkimor apo ndërtimor në ujërat e brendshme dhe ujërat detare territoriale;
çdo ndërhyrje që mund të cenojë integritetin e anijeve të fundosura, artefakteve dhe objekteve të tjera arkeologjike nënujore.
Projektet arkeologjike nënujore do të mund të zhvillohen vetëm me leje nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe duhet të respektojnë parimin bazë të ruajtjes “in situ” të objekteve, duke lejuar nxjerrjen e tyre vetëm në raste të domosdoshme dhe për qëllime studimore apo mbrojtëse, pa asnjë synim tregtar.
Vendimi ndalon kategorikisht tregtimin, shitjen apo shkëmbimin e trashëgimisë kulturore nënujore dhe parashikon përdorimin e teknikave joshkatërruese gjatë kërkimeve. Gjithashtu, kërkohet respektimi i mjedisit ujor dhe ekosistemeve përkatëse, si dhe informimi i publikut dhe publikimi i rezultateve shkencore.
Në vendim përcaktohen në detaje edhe kriteret teknike dhe profesionale që duhet të plotësojnë projektet, përfshirë përbërjen e stafit të specializuar, planin metodologjik, planin e sigurisë, konservimin e gjetjeve, burimet financiare dhe programin e publikimit.
Po ashtu, janë vendosur kushte të posaçme edhe për aktivitetet e tjera që, edhe pse nuk kanë si objekt kryesor trashëgiminë nënujore, mund ta dëmtojnë atë.
Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.