Shefi i SPAK, Altin Dumani u pyet nga deputeti demokrat Gent Strazimiri, lidhur me masën e sigurisë ndaj kryetarit të PD-së Sali Berisha, i cili është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj.
“I nderuar z. Strazimiri, kjo masë sigurimi është caktuar me vendim të GJKKO-së dhe vetëm ajo mund ta shuajë masën e sigurimit. Nuk është në tagrim e SPAK të vendosë shuarjen e një mase sigurimi”, tha Dumani.
Fjala është për çështjen e dosjes “Partizani”, për të cilën kreu i opozitës Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.