Protestuesit marshojnë në ditën e 18-të të protestës (VIDEO)

17 June 2026, 22:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protestuesit marshojnë në ditën e 18-të të
Pamje nga marshimi

Pas disa orësh protestë para godinës së Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e zakonshëm përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar ditën e 18-të radhazi të asaj që tashmë njihet si “Revolucioni i Flamingove”.

Nën ritmet e daulleve, me qindra flamingo rozë simbolike dhe thirrjet anti-qeveritare dhe anti-establishment, protestuesit po lëvizin drejt institucioneve kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndalimin e projektit në Zvërnec, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Marshimi i kësaj mbrëmjeje zhvillohet vetëm pak orë pasi Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë, ku përfshihet edhe amendamenti që kërkon moratorium për lejet dhe ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura deri në garantimin e përputhjes së plotë me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.

Organizatorët e protestës e kanë cilësuar votimin në Strasburg si një mbështetje të rëndësishme politike për kauzën e tyre, ndërsa pjesëmarrësit kanë zgjedhur ta shoqërojnë marshimin e sotëm me qindra flamingo rozë, simboli që ka identifikuar lëvizjen që prej ditëve të para të protestës.

 


Video