Protestë në Tiranë kundër prishjes së lulishtes, hesht “Rithemelimi”

6 August 2023, 19:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protestë në Tiranë kundër prishjes së lulishtes, hesht
Pamje nga protesta

Një protestë me sloganin “Larg duart nga parku” e organizuar nga “Lëvizja Bashkë” është zhvilluar sot në parkun pas Teatrit të Operas dhe Baletit, për të kundërshtuar prishjen e lulishtes. Protestuesit kanë prishur gardhin metalik, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe forcat e policisë.

Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës.

“Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Dhuna e Betonit nuk ka të ndaluar. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të paligjshëm po na lënë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit”, thanë protestuesit.

Kullat po i marrin frymën Tiranës, u shpreh në fjalën e tij drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori.

“Këto kulla jo vetëm po e shkatërrojnë, jo vetëm po na e marrin frymën, por nuk do të kenë as një minimum funksioni ekonomik. Shikoni si kullat janë në errësirë, por të gjitha rezultojnë të shitura. Kush i blen, blejnë trafikantët e drogës, politikanët e korruptuar, çdokush që ka qeverisur dhe vjedhur këtë vend në 32 vjet”, tha Qori.

Ndërkohë asnjë reagim nga nuk ka ardhur nga “Rithemelimi” i Sali Berishës. Nga opozita kanë reaguar figura të dorës së dytë si Tedi Blushi i partisë së Ilir Metës, sa për të thënë që kanë reaguar.


Video