Ka nisur përpara Kryeministri protesta e 92 e qytetarëve kundër qeverisë “Rama”.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj i është drejtuar qytetarëve me një apel për ndryshim rrënjësor politik dhe bashkim të qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj nënvizoi se qëndresa tre-mujore ka provuar se qytetarët refuzojnë të pranojnë më modelin e vjetër të rrotacionit politik.
“Jemi sot në ditën e 92-të të protestës dhe thërrasim si në ditën e parë për revolucion. Ne u kemi treguar se nuk jemi të gjithë të kriminalizuar e të korruptuar dhe nuk zgjedhim më mes dy liderëve autokratikë, por zgjedhim Shqipërinë së bashku! Në 36 vjet na kanë detyruar që të zgjedhim të keqen më të vogël”, deklaroi ajo.
“Sot dua t’u dërgoj përshëndetje banorëve të Divjakës që janë sot në ditën e 30 të protestës kundër shkrirjes së bashkisë. Revolta e tyre është kundër një sistemi, që e ka grumbulluar pushtetin në një dorë. Për 36 vjet jemi qeverisur nga dy autokratë që vetëm kanë ndërruar karriget. Sot kemi ndërtuar një ëndërr të re politike, ku ka vend për të gjithë. Shqipëria meriton të qeveriset nga një sistem demokratik, jo autokratik e kriminal. Ne nuk e lëshojmë sheshin pa ikur Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar“, tha ajo.
Më tej, aktivistja denoncoi përpjekjet për përçarjen e lëvizjes qytetare, duke theksuar se rezistenca po vazhdon për një koncept të ri shtetformimi.
“Në këto ditë janë munduar të na bëjnë të zgjedhim mes njëri-tjetrit duke përgojuar e shpifur, por ne kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe Shqipërinë përballë propagandës e hajdutëve që kemi në krye. Kemi zgjedhur të jemi këtu për një Shqipëri të re dhe të lirë!” – përfundoi Vatnikaj nga foltorja e protestës.