Protesta e 114-të/ Aktivistët: Pushteti fut dorën në xhepin e të varfërve dhe ua jep të pasurve. Të enjten, protestë te Parlamenti

21 September 2026, 19:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta e 114-të/ Aktivistët: Pushteti fut dorën në xhepin
Aktivistja Sidorela Vatnikaj

Në ditën e 114-të të protestës përpara godinës së Kryeministrisë, aktivistët dhe qytetarët kanë lëshuar akuza ndaj qeverisë.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj iu drejtua qytetarëve duke folur për qëndrueshmërinë e protestës dhe përballjen me presionin politik.

Vatnikaj tha se protestuesit e kishin parashikuar reagimin e qeverisë, por tha se në 114 ditët e protestës kanë mësuar se vetëm bashkimi i shqiptareve kundër krimit dhe korrupsionit është zgjidhja për Shqipërinë.

“Ne mund ta merrnim, me mend sesa i madh do ishte sulmi nga qeveria dhe patronazhistët, por në 114 ditë kemi mësuar një më të vërtetë të madhe se kjo. Vetëm bashkimi i shqiptarëve, përtej bindjeve politike, përtej krahinave nga vijnë, por bashkimi të gjithë shqiptarëve kundër dhunës shtetërore, kundër korrupsionit dhe krimit është e vetmja zgjidhje që mund ta bëjmë Shqipërinë”, deklaroi Vatnikaj.

Më tej aktivistja tha se “në 36 vjet ne kemi parë që ka qenë e njëjta fytyrë e pushtetit ajo që fut dorën në xhepin e të varfërve për t’ia dhënë të pasurve. Ajo që e le spitalin pa serum e ilaçe, ajo që lë shkollën pa mësues sepse i kthen në patronazhistë. Ne kemi thënë mjaft është mjaft”.

Aktivistja përsëriti kërkesat e protestuesve, ku kryesorja është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

“Jemi këtu sepse kërkojmë që Shqipëria ti kthehet qytetarëve. Jemi këtu për të thënë si çdo ditë tjetër “Shqipëria kërkon revolucion””, deklaroi aktivistja.

Ndërsa aktivisti Edison Lika, në ditën e 114-të të protestës kundër qeverisë, ka bërë thirrje për mobilizim ditën e enjte para Parlamentit, ku sipas tij pritet të diskutohen tre projektligje të kundërshtuara nga protestuesit.

“Të enjten, në Parlament, do të diskutohen tre projektligjet që na kanë sjellë në protestë. Ndaj, i themi secilit qytetar që ka marrë pjesë në protestë për 114 ditë, që është detyrë morale e secilit prej nesh që, ditën e enjte, në orën 10:00, te Parlamenti, të kërkojmë shfuqizimin e ligjit 21/2024, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ligjit për investitorin strategjik”, u shpreh Lika.

Ai tha se edhe nëse projektligjet nuk kalojnë për shqyrtim në komisionet parlamentare, kjo do të konsiderohej nga protestuesit si një rezultat i protestës. Aktivisti theksoi se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesës për largimin e qeverisë.

“Ne i jemi vënë këmba-këmbës qeverisë së Edi Ramës. Ne do të jemi këtu deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe të gjithë qeverisë”, përfundoi aktivisti.


Video