Presidenti i Kolumbisë fajëson “mafian shqiptare me bazë në Dubai” për atentatin ndaj rivalit të tij

11 June 2025, 19:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti i Kolumbisë fajëson “mafian shqiptare me bazë
Presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro dhe Miguel Uribe

Për atentatin ku u plagos rëndë rivali i tij Miguel Uribe, Presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro akuzon grupet e trafikantëve shqiptarë të drogës.

Petro shprehu bindjen në një postim në rrjetin X, se porositës të atentatit janë trafikantë shqiptarë që duan të hakmerren për luftën që qeveria kolumbiane i ka shpallur karteleve të tyre të drogës dhe të përfitojnë duke destabilizuar vendin.

“Vrasësit kërkojnë që të vritemi me njëri-tjetrin, të dobësojnë shtetin që të marrin nën kontroll ekonominë e jashtëligjshme. Janë kapur tre baronë droge me origjinë shqiptare, të vendosur gjithashtu në Itali, Kolumbi, Ekuador dhe Venezuelë. Shqiptarët blejnë kokainë në kufijtë perëndimor të Kolumbisë, duke përdorur portet e Buenaventurës dhe Ekuadorit. Të gjithë janë anëtarë të juntës së trafikimit të drogës me seli në Itali dhe Dubai”.

Ai fajësoi një rrjet trafikimi droge që shtrihet nga Dubai, Italia dhe Shqipëria deri në Ekuador, duke thënë se ka lidhje me Klanin e Gjirit të Kolumbisë dhe një komandant lufte të njohur si Iván Mordisco.

Tentativa e vrasjes së Uribe-s është shenja e fundit se ngjarjet në Kolumbi po dalin jashtë kontrollit, pak më shumë se një vit para se Petro të largohet nga detyra.

Prodhimi i kokainës është në një nivel rekord, ndërsa bandat pushtojnë më shumë territor, dhe llogaritë fiskale janë më të këqijat që kanë qenë që nga koha e pandemisë.

I dyshuari adoleshent në këtë rast do të paraqitet në gjykatë të martën në mëngjes, ku ka të ngjarë të akuzohet për tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm të një arme zjarri.

Autoritetet thonë se pistoleta Glock e përdorur në sulm është blerë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020.

Meqenëse i dyshuari është i mitur, ai do të gjykohet në një sistem për të mitur sipas të cilit dënimi maksimal që ai përballet nëse dënohet është tetë vjet.

Grupet shqiptare të trafikut të drogës po përmenden gjithnjë e më shumë si faktor destabilizimi në vendet e Amerikës Latine.

Udhëheqësi autoritar i Venezuelës, Nikolas Maduro akuzoi mafien shqiptare se po përpiqej të destabilizonte vendin, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 majit.

Karteleve shqiptarë iu hodh përgjegjësia edhe për vrasjen e vitit 2023 të një tjetër kandidati për president në Ekuador.


Video