Mbi tre mijë fidanë dhe bimë kanabis janë zbuluar në Malin e Rrencit nga Policia e Lezhës.
Gjatë ndërhyrjes nga efektivët në zonë, u arrestua në flagrancë 30-vjeçari Serxhio Brenga alias Matija.
I riu nga Shkodra ishte i shpallur në kërkim ndërkohë për plagosje të lehtë me dashje.
Në vijim të operacionit u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Mateo Brenga 25 vjeç, (vëllai i të arrestuarit) dhe Florjan Fratija 30 vjeç, të dy banues në Velipojë, Shkodër.
“Të dy vëllezërit, Serxhio Brenga dhe Mateo Brenga rezultojnë persona të shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.
Gjatë operacionit në Malin e Rrencit, policia sekuestroi një armë gjahu që dyshohet se përdorej për ruajtjen e parcelës.
Sa i përket lëndës narkotike pjesa më e madhe u dogj, ndërsa një pjesë tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.