Policia reagon për “kapjen” e Amant Josifit, kjo është shifra marramendëse që akuzohet se i ka vjedhur europianëve me kriptomonedha

14 September 2023, 16:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia reagon për “kapjen” e Amant Josifit, kjo
Amant Josifi

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me ndalimin e Amant Josifit nga autoritetet në Dubai.

Sipas Policisë, Josifi është ndaluar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “FRIDA-REFOX”, dhe kërkohet nga autoritetet spanjolle.

Josifi, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e këshilltarit të ish-ministres Olta Xhaçka, akuzohet se është pjesë e një grupi që kanë mashtruar shtetasit europianë me skema piramidë të kriptomonedhave, duke u vjedhur në total një shifër marramendëse prej 2.4 miliardë euro.

Për çmontimin e këtj grupi pak kohë më parë në Shqipëri zbarkuan dhjetra efektivë të policisë spanjolle si dhe ekspertë të krimit kibernetik.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Sqarim i Policisë së Shtetit, në lidhje me kapjen në Dubai, të shtetasit A. J., të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar të koduar “FRIDA-REFOX”.

Në vijim të punës hetimore, gjurmuese dhe kërkimore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të përbashkët ndërmjet autoriteteve policore shqiptare dhe atyre spanjolle, u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A. J.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell, Spanjë, me vendimin nr. 2, të datës 03.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Mashtrime me rrethana rënduese", “Krim kibernetik", "Skema piramidale" dhe "Organizata kriminale", të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.


Video