Për të dytën herë në harkun kohor të 10 ditëve, banorët e Porto Romanos kanë protestuar kundër depozitave gjigante të gazit, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre.
Me pankarta në duar, qytetarët, së bashku me fëmijët ngritën zërin për sigurinë e jetës së tyre, që rrezikohet për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm.
Banorët protestuan së bashku, të majtë e të djathtë, pasi shqetësimi është i të gjithëve.
Ata i tremben përsëritjes së një tjetër Gërdeci të dytë dhe i bënë apel institucioneve për largimin një orë e më parë të këtyre depozitave, të vendosura në qendër të një zone të banuar.
Kërkesa e vetme e tyre është që firma që ka instaluar depozitat e gazit, të largohet nga ai vend. Dy javë më parë në këtë vend shpërtheu një zjarr gjatë procesit për mbushjen e bombolave të gazit të përmasave të ndryshme.
Zjarri u vu shumë shpejt nën kontroll, duke shmangur një katastrofë të mundshme. Për shuarjen e zjarrit kanë ndihmuar edhe automjetet e stacionit zjarrfikës të qytetit, ndërkohë që këta të fundit kanë ndëshkuar firmën “Power Gas” me masë administrative.