Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një intervistë në “Opinion” mohon që Butrinti po jepet me koncesion. Sipas saj, ky park do t’i kalojë në menaxhim një fondacioni që do të do ngrihet nga shteti shqiptar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.
“(Fondacioni) Është jo fitimprurës dhe nuk është koncesion, është organizatë jo fitimprurëse. Çdo qindarkë e Butrintit qëndron në Butrint”, tha ministrja.
Po përse nuk e administron vetë shteti shqiptar, përmes mënyrës që kishte duke përmirësuar administrimin?
“Kjo është një mënyrë e përmirësimit të administrimit dhe shteti shqiptar është duke e menaxhuar sitin. Që nga fillimi i këtij procesi që kemi nisur për ndërtimin e këtij modeli, një nga kritikat kryesore ka qenë mënjanimi i Ministrisë së Kulturës në këtë fondacion. Ndërkohë që Ministria e Kulturës jo vetëm është kryetare e bordit, por e monitoron me një qendër të re monitorimi pranë ministrisë, e auditon, raporton pranë UNESCO-s. Shteti është brenda në të gjithë kuadrin ligjor”, tha ministrja.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse duhej Fondi Shqiptaro-Amerikan në këtë projekt, ministrja tha:
“Është një nga donatorët. Unë sot jam e dëshiruar që çdokush të shohë debatin e Butrintit dhe të ndjellë sadopak entuziazëm dhe dashamirësinë që të kemi dhe të tjerë donatorë. Në të gjithë botën modele të tilla kemi shpeshherë prezencën e bankave, që janë filantropë kryesorë në gjithë botën. Në Shqipëri ndoshta ende nuk kemi arritur në këtë fazë. Ky mund të jetë një moment i mirë të parë edhe vetë bankat sesi të mund të bëhen pjesë e filantropisë në Shqipëri. Nuk po themi asnjë çudi dhe nuk po shpikim rrotën”.