Mediat italiane kanë zbardhur të tjera biseda të grupit mafioz të drejtuar nga shqiptarët në Romë, ku Elvis Demçe, pasi bisedave ku planifikonte vrasjen e një gjyqtari, këtë herë kërcënon një biznesmen dhe familjen e tij.
“Kur do t'u japim goditjen këtyre të padenjëve?” pyet Demçe një nga vartësit e tij, italianin Francesco “Bigis” Bastianelli. Biseda është bërë në WhatsApp dhe këtu, shqiptari Demçe i nis ‘kolegut’ foto të viktimave të tyre, sipërmarrës në fushën e ndërtimit dhe aksionerë në klubin e futbollit Cavese.
Biseda është zhvilluar në janar të 2021. Sipas asaj që ka zbardhur “La Repubblica”, Demçe dhe Bastianelli diskutojnë për një gjobëvënie prej gjysmë milioni eurosh ndaj biznesmenit Tonino Luciani dhe ortakut të tij në fushën e ndërtimit. Në bisedë, thuhet se nëse ai nuk bindet t’i rrëmbehet familje, ose goditet shtëpia me predhahedhës.
“O vëlla, shko gjeji emrin dhe mbiemrin, që t’i marrim familjen dhe ta bëjmë të na bindet", është njëra prej fjalive që Elvis Demçe i ka shkruar italianit.
Synimi është i qartë, sipas La Repubblica; gjobëvënia. “Duhet t’u heqim të paktën 500 mijë euro atyre dy spiunëve’”, thotë Demçe më tej.
Në të njëjtën bisedë, Demçe informon Bastianellin se ka mbërritur ngarkesa e armëve për organizatën që drejtonte. Porosia dyshohet se është blerë nga kalabrezët.
Armët janë nga luftarake, si M16 dhe kallashnikov, deri te pistoleta. Mes fotove në bisedë flitet edhe për një predhahedhës, që Demçe thotë se duhet përdorur për të goditur banesën e një biznesmeni.
Po sipas përgjimeve, predhahedhësi nuk është përdorur, sepse biznesmenët janë bindur.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.