
Dëshmia e Marklen Hakës nuk u ka shërbyer hetuesve për të zbardhur atentatin ndaj tij, qe e la të plagosur në nofull.
Sipas Report TV Haka ka treguar se kishte parë një makinë që po e ndiqte, por që nuk e kishte menduar se do e qëllonte.
Ai është shprehur se është qëlluar nga përpara, në një moment që kishte ndalur makinën dhe më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë, pavarësisht dëshmisë së Hakës, nga sa raportojnë burimet, grupi hetimor dyshon se kjo dëshmi nuk është e vërtetë pasi nga ekspertiza që është bërë në vendin e ngjarjes ka dyshime që autori ka qenë në këmbë dhe jo në makinë, megjithatë kjo është ende duke u vërtetuar.
Në vendngjarje ka pasur kamera sigurie, por ato nuk i kanë shqërbyer grupit hetimor për të kuptuar si ndodhi ngjarja dhe për të shkuar deri në gjurmët e autorit.
"Po udhëtoja me mjetin e Volswagen në drejtim të Niklës. Sapo kam përshkuar disa metra në rrugën e Niklës jam qëlluar nga një automjet tjetër për të cilin, targën dhe llojin e mjetit nuk e di. Mjeti më ka ndjekur nga pas dhe në një moment kur kam ndaluar jam qëlluar me breshëri duke mbetur i plagosur në fytyrë. Më pas makina është larguar nga vendi i ngjarjes", mësohet të ketë thënë Haka.
Haka është qëlluar dje me 20 plumba me armë automatike MP5, teksa një plumb e ka prekur në nofull. Ai është dërguar në spital nga miqtë e tij, duke mos pritur ambulancën apo policinë në vendin e ngjarjes.
Ai ndodhet jashtë rrezikun për jetën, teksa makina me të cilin ai po udhëtonte është sekuestruar nga Policia. Deri tani nuk ka persona të shoqëruar për ngjarjen.