
Që prej ardhjes së muxhahdinëve iranianë në vendin tonë marrëdhëniet mes Iranit dhe Shqipërisë nuk kanë qenë nga më të mirat.
Strehimi i tyre në Shqipëri ishte kthyer në një pengesë për regjimin e Iranit, i cili kishte planifikuar vrasjen e disidentëve në Irak.
Kështu vendi ynë u kthye në një nga objektivat kryesorë të regjimit dhe hakmarrja nuk vonoi.
Vetëm pak javë më parë hakerat iranianë sulmuan faqet qeveritare shqiptare gjë që e çoi marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve nga “ftohja” në “ngrirje”.
Qeveria vendosi ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, si dhe dëbimin e të gjithë stafit të ambasadës iraniane nga vendi ynë.
Që atëherë anëtarët e MEK në Manzë kanë kaluar në regjim izolimi. Mësohet se kjo është një masë e marrë nga vetë muxhahedinët të cilët, i druhen një sulmi nga qeveria e Iranit.
Kujtojmë se në muajin korrik, me rekomandim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe qeverisë shqiptare për shkak të rrezikut të një kërcënimi të mundshëm, u shty me një afat të pacaktuar samiti botëror i Iranit të Lirë që do të zhvillohej në Manzë të Durrësit.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.