Grupi që po heton vjedhjen në banesën e Alda Klosit ka pak dilema. Dëshmia e Rozeta Dobit dhe mungesa e denoncimeve nga shtetas të tjerë kanë shtuar bindjen mes grupit se 600 mijë eurot që janë gjetur në banesën e pastrueses janë të Alda Klosit.
Burime të Top News pohojnë se grupi hetimor aktualisht është përqëndruar në identifikimin e pronarëve të vërtetë të parave, që sipas dëshmisë së Rozeta Dobit mbërrinin në shtëpinë e Alda Klosit me çanta prej vitit 2018-të.
Në këtë kohë, Klosi ka qenë krahu i djathtë i Arben Ahmetaj në Ministrinë e Financave.
Dëshmia e Rozeta Dobit, që paratë kanë hyrë në banesën e Klosit që prej 2018-s me çanta. Hetimet janë përqëndruar në gjetjen e ‘dërguesit’ të tyre.
Ka dyshime se paratë mund të jenë burim korrupsioni. Nga opozita nuk kanë pritur dyshimet dhe pohojnë se paratë që i janë gjetur Alda Klosit janë të Arben Ahmetajt dhe se e gjitha vjedhja është një inskenim.
Për inskenim ka dëshmuar të shtunën edhe pastruesja Rozeta Dobi pas 7 orësh marrje në pyetje. Në bazë të kësaj dëshmie Alda Klosit iu komunikua masa e arrestit nga ana e policisë. Ndërkohë, vetë Klosi mohon dëshminë e pastrueses.
Ish-zyrtarja e Ahmetajt aktualisht është e shtruar në spital për problem me zemrën dhe në spital pritet që t’i komunikohet të martën masa e sigurisë nga gjykata./TopNews