Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, gazetari dhe pronari i portalit Pamfleti, Gjergj Zefi u dhunua barbarisht nga një grup personash.
Dy muaj më vonë, policia njoftoi arrestimin e një 31-vjeçari në Elbasan, të dyshuar si pjesë e grupit të autorëve që dhunuan gazetarin.
31-vjeçari fillimisht mohoi akuzat e ngritura, ndërsa provat që grumbulloi policia, përfshirë edhe një palë çelsa të automjetit me të cilin u larguan autorët të lënë në një lokal në Elbasan nuk e bindën gjykatën, që e liroi atë për mungesë provash.
Çelësat, sipas një artikulli të publikuar nga Pamfleti, u gjetën në lokalin e njohur në Elbasan si pronë e vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja, të shpallur në kërkim së fundmi nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë 2” me akuzën se kanë organizuar dhe financuar të paktën gjashtë vrasje në vend.
Pyetja që ngrihet është se çfarë i lidh vëllezërit Çopja me portalin Pamfleti dhe gazetarin Gjergj Zefi?
A u dhunua gazetari për shkrimet e publikuara për aktivitetin e dyshuar kriminal të dy vëllezërve?
Për këtë pyetje vështirë të thuhet po, sepse me këtë logjikë dy vëllezërit do të duhej të urdhëronin rrahjen dhe dhunimin e pjesës dërrmuese të gazetarëve dhe pronarëve të portaleve, që kanë publikuar shkrime dhe artikuj për grupin e tyre.
Çfarë fshihet më pas?
Vetë portali Pamfleti zbulon një pistë të re.
Sipas artikullit të tyre, vëllezërit Çopja dhe grupi i tyre kanë vepruar për llogari të trafikantëve të tjerë, apo të lobeve politike që mund të jenë cenuar nga shkrimet e publikuara në këtë media.
Për këtë ngjarje, ndoshta përgjimet e siguruara nga SKY në kuadër të kësaj dosje mund të hedhin më shumë dritë dhe të zbulojën se Çopjat kanë qenë vetëm ekzekutuesit e dhunës ndaj gazetarit Gjergj Zefi, ndërsa porositësit, financuesit dhe organizatorët e dhunës mund të jenë tjetërkundër, përfshirë këtu edhe në politikë.