
Një turist francez ka rënë në humnerë ditën e sotme në Mat, teksa po udhëtonte me mjetin e tij tip "Defender". Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjoçaj, njësia administrative Derjan, në aksin rrugor Kurbnesh-Dukagjin.
Ai është ndihmuar nga banorët e zonës, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Mësohet se turisti është rreth moshës 70-vjeç dhe ka pësuar dëmtim në shpatull.
Fillimisht është kërkuar transporti me helikopter, por turisti, pas një bisede me ambasadën franceze është shprehur se nuk është e domosdoshme dërgimi i mjetit fluturues.
Banorët e fshatit Gjoçaj po e dërgojnë të aksidentuarin në spitalin e Burrelit, teksa dhe ky i fundit ka nisur një ambulancë drejt vendngjarjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje po punohet për zbardhjen e shkaqeve të daljes së mjetit nga rruga.
Kujtojmë, se dy ditë më parë ranë dy turistë gjermanë në humnerë në Aplet e Valbonës, ku njëri prej tyre u nxorr i pajetë.

