Nënshkruhet marrëveshja, RAI rikthehet në Shqipëri me 24 programe dhe filma

10 October 2022, 20:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nënshkruhet marrëveshja, RAI rikthehet në Shqipëri me 24
Foto ilustruese

Radio Televizioni Italian, RAI ka nënshkruar ditën e sotme një marrëveshje me RTSH-në për transmetimin e 24 programeve, serive televizive, dokumentarëve dhe filmave.

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp të mbajtur pranë Rezidencës Italiane, ambasadori italian Fabrizio Bucci ka deklaruar se kjo marrëveshje përfshin kulturën, biznesin dhe gjuhën. Bucci u shpreh se kjo marrëveshje është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit.

“Shqiptarët kanë mësuar italishten duke parë televizionin italian. Është një marrëveshje që përfshin kulturën, biznesin dhe gjuhën.  Do jetë promovim shumë i mirë për gjuhën italiane dhe bashkëpunim shumë i mirë mes dy kompanive. Ky është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit”, tha Bucci.

Drejtoresha për Çështjet Ndërkombëtare pranë RAI, Simona Martorelli deklaroi historia mes RAI dhe RTSH është e gjatë dhe konstante dhe sipas saj marrëveshja e nënshkruar sot mes dy institucioneve, është mjaft e rëndësishme.

“Na kanë pritur me shumë dashamirësi. Të kthehesh në Shqipëri për ne të RAI-t është si të kthehesh në shtëpi. Historia mes RTSH dhe RAI është e gjatë dhe ka qenë një marrëdhënie konstante. Kjo pasqyrohet dhe sot dhe kjo jo për afërsinë gjeografike, por për nga vizioni i përbashkët.  Është shumë e rëndësishme për ne sepse nuk do tregojmë vetëm historinë, por edhe të ardhmen”, tha Martorelli.

Zv.drejtori i Përgjithshëm Redi Neziri në fjalën e tij e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë moment. Sipas tij, bashkëpunimi mes RAI dhe RTSH është nga më frytdhënëset pasi përfshin aspekte të rëndësishme të dy institucioneve.

Neziri bëri me dije se aktualisht janë në fazë bisedimesh me RAI-n për një paketë intensive trajnimesh për stafin e RTSH dhe asistencë teknike e operative për procesin e dixhitalizimit dhe arkivat e RTSH.

“Një moment shumë i rëndësishëm. Një nga bashkëpunimet më frytdhënëse do konkludohet me nënshkrimin e marrëveshjes që përfshin aspekte të rëndësishme mes dy institucioneve të rëndësishme tonat. Kjo mundësi për ne është vlerë e shtuar. Të gjithë së bashku kemi punuar për një periudhë të gjatë për të realizuar me sukses këtë projekt. Pjesëmarrja në proces e kompanive italiane ka qenë e domosdoshme për konsolidimin e vlerës së programeve të RAI-t për shkëmbimin dhe përfitimin e ndërsjelltë kulturor mes nesh.

Dua të përmend që ne jemi dhe vazhdojmë të jemi në fazë diskutimesh me partnerin tonë RAI për një paketë intensive trajnimesh për stafin e RTSH dhe në vijimësi pune për një asistencë teknike dhe operative për të na ndihmuar në procesin e dixhitalizimit, arkivat e RTSH  që për ne si institucion është shumë i rëndësishëm. Shpresojmë se ky bashkëpunim do të forcohet në të ardhmen. Falënderoj ambasadorin italian për angazhimin personal në këtë iniciativë. Falënderim për ndihmën dhe suportin tuaj”, tha Neziri.

Kjo marrëveshje, e arritur falë Ambasadës së Italisë në Tiranë dhe mbështetjes së sipërmarrjeve e institucioneve italiane në Shqipëri, do të bëjë të mundur hedhjen e hapit të parë drejt zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënies, tashmë të konsoliduar me televizionin publik shqiptar. Marrëdhënie kjo që forcën e saj e gjen te roli i jashtëzakonshëm që RAI ka luajtur në Shqipëri.


Video