
Muhamed Alabar, investitori arab që synon të ndërtojë portin e jahteve në Durrës ka pasur në plan të ndërtojë atë që konsiderohej si “Manhatani i Zagrebit” në Kroaci.
Megjithatë pas presionit të shumtë, u publikua marrëveshja për këtë projekt që nxirrte në pah se kryebashkiaku Milan Bandić donte t’u jepte arabëve gjithçka, duke përfshirë pronësinë e tokës më të shtrenjtë në vend, një skemë e ngjashme me atë të projektit të Durrësit në vendin tonë. Pas reagimit të opozitës dhe shoqërisë civile bëri që në vitin 2020 projekti të anulohej.
Kush është Muhamed Alabar? A është vërtet e tij kompania Eagle Hills? Çfarë, si dhe ku ka ndërtuar deri tani?
Kompania kryesore e Alabar quhet “Emaar Properties”, por në fakt nuk i përket Alabar-it, por Emirit të Dubait i cili është aksioneri kryesor.
Kompania u themelua në vitin 1997.
Afera e parë do të lidhej me një projekt biznesi në qytetin indian të Mohalit, në provincën Punjab.
Edhe atje sheikët kishin kontrata shumë të dyshimta me autoritetet lokale për ndërtimin e një projekti me 1670 vila.
Shumë shpejt u zbulua se sheikët, për të grumbulluar paratë që do të përdoreshin për investim, shisnin pronat indiane (560 prej tyre), të cilat nuk u përkisnin fare.
Njerëzit paguanin për vilat, por nuk mund të hynin në pronën e tyre sepse të drejtat e pronësisë mbi tokën pretendoheshin nga palë të treta, megjithëse pushteti vendor pretendonte se gjithçka ishte konform ligjit.
Në Indi, e njëjta kompani ishte në qendër të një afere akoma më të madhe, kur mori përsipër të ndërtonte një fshat sportiv për Lojërat e Komonuelthit në vitin 2010. Realisht ai fshat nuk përfundoi kurrë dhe atletët e Zelandës së Re, Kanadasë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut u detyruan të qëndronin nëpër hotele.
Në vitin 2011, kundër Emaar MGF dhe dy kompanive të tjera simotra të lidhura me Alabar u ngrit një aktakuzë për krim të organizuar, konspiracion, mashtrim...
Një tjetër rast në Indi ka të bëjë me një projekt ku Qeveria dhe Emaar do të investonin në një resort luksoz, me fushë golfi dhe qendër konferencash.
Një projekt i përsosur në letra, por që nuk rezultoi kështu pasi të dhënat tregojnë se marrëveshja për bashkëpunim mes dy kompanive, asaj shtetërore APIIC dhe Emaar Properties nga Dubai u prish.
Sipas memorandumeve, Emaar Properties do t'ua dorëzonte punimet tre korporatave të tjera, të cilat nga ana e tyre do t'ia dorëzonin shitjet “Stylish Homes”.
Kompanitë ranë dakord me njëra tjetrën për çmimin dhe Stylish Homes do të merrte 4% komision. Megjithatë, çmimi i rënë dakord ishte shumë më i ulët se çmimi i tregut, në disa raste ai përfaqësonte vetëm 10 për qind të çmimit real.
I gjithë fitimi u mor nga Stylish Homes dhe APIIC s’mori asgjë. Dëmi total i supozuar ishte rreth 11 milionë euro, që në Indi ishte një skandal i madh.
Transparency International me seli në Pakistan shkruan gjerësisht dhe me detaje për të gjithë serinë e skandaleve korruptive me kompanitë e Alabar në Pakistan.
Në Karaçi, Alabar nisi projektin “Crescent Bay” në gusht 2008, si pjesë e një investimi të supozuar shumë miliardë dollarësh. Projekti duhej të përfundonte në vitin 2013.
Por vilat dhe apartamentet luksoze nuk u ndërtuan dhe 300 investitorët vendas paditën kompaninë e Alabarit, duke kërkuar kthimin e parave me gjithë interesin dhe dhjetë për qind kompensim për fitimet e humbura.
Kërkesa totale e dëmshpërblimit të pakistanezëve të mashtruar ishte 15.2 milionë dollarë.
Emaar Properties ka lënë një gjurmë të fortë edhe në Indonezi.
Nuk është sekret që kompanitë e themeluara nga Emiri i Dubait, Muhammad bin Rashid al Maktoum, nuk i shpërdorojnë paratë e tyre. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe kërkojnë të sigurojnë para, në çdo formë, fillimisht nga bashkë-investitorët vendas dhe më pas nga blerësit, të cilët paguajnë paradhënie.
Pra, ata nuk duhet të investojnë pothuajse asnjë cent vetë.
Interesante është se të njëjtat skandale këto kompani kanë pasur edhe në SHBA.
Në fillim të qershorit 2006, Emaar bleu “John Laing Homes”, kompaninë e dytë më të madhe private të ndërtimit në SHBA, për 1.05 miliardë dollarë.
Megjithëse të ardhurat vjetore pritej të rriteshin në 10 miliardë dollarë deri në vitin 2011, më 19 shkurt 2009, “John Laing Homes” shpalli falimentin.
Në kërkesën për shpalljen e falimentit thuhej se humbja e kompanisë arrinte gati gjysmë miliardë dhe një miliardë dollarë amerikanë.
John Laing Homes kishte probleme financiare në vitin 2007, para krizës së madhe globale. Për këtë arsye u spekulua se arabët nuk planifikonin të investonin seriozisht në zgjerimin e kësaj kompanie, por e përdornin vetëm për t’u futur në tregun amerikan dhe për të pastruar para.
Projektet e mëdha në botë janë të rëndësishme për Emaar Properties sepse pa të, bursa në Dubai do të ishte e vështirë të funksiononte.
Aty është kryeqyteti i sundimtarit vendas, por edhe reputacioni i tij në botën e biznesit, shpjegojnë analistët.
Nëse Emaar del mirë në bursë, nëse rritet vlera e aksioneve të tij, rritet edhe reputacioni i Emir Rashid al Maktoum.
Në mënyrë që të tërheqë investitorët dhe të rikuperojë çmimin e aksioneve të veta, shpjegojnë analistët, Emaar duhet të krijojë vazhdimisht idenë se po ndërton projekte të mëdha.
Kjo është arsyeja pse “Beogradi mbi ujë” dhe "Manhatani i Zagrebit", tashmë dhe "Porti i Durrësit", i vijnë në ndihmë.
Nuk ka dyshim se Alabar është një operativ kyç për bizneset e ndërtimit që drejtohen nën emrat e kompanive si Emaar Properties.
Nuk ka dyshim se shumë nga projektet megallomane do të ndërtohen dhe do të përfundojnë.
Por me paratë e kujt dhe me shpenzimet e kujt, kjo është një histori tjetër.
Kush është Alabar
Alabar ka lindur në Dubai, më i madhi nga 12 fëmijët. Babai i tij punonte si marinar dhe në vitet ’70, Alabar fitoi një bursë qeveritare për të studiuar ekonomi në Seattle.
Atij i pëlqen ta rrëfejë jetën, sikur të ishte një histori orientale – magjike, plot simbole qw flasin për sukses.
Sot ai tregon me krenari se është rritur në varfëri dhe pohon se ishte më i varfëri në klasën e tij.
“Babai im ishte marinar, qëndronte pak nw shtwpi, por kam mësuat shumw prej tij. Si kapiten i një anijeje, babai im rrezikoi, ai shkonte drejt të panjohurës, lundronte pa GPS në kohët kur detet ishin mbushur me piratë. Duhet të jesh i guximshëm dhe të mësosh se si të marrësh vendime të rëndësishme dhe të mira shumw shpejt”, ka thënë Mohamed para studentëve në Universitetin e Abu Dhabit.
"Po, unë isha padyshim më i varfëri në klasë - dhe jam krenar për këtë", tha nw njw tjetër rast për Forbes, e cila e renditi në mesin e pesë njerëzve më të pasur në Lindjen e Mesme në 2018.
Ai u diplomua në Seattle në 1981 për financë dhe administrim biznesi, por donte më shumë. Pas 25 vitesh në Abu Dhabi, ai u bë drejtor i Al Khaleej Investments në Singapor.
Kapitulli më i rëndësishëm në jetën e tij filloi në vitin 1997 kur themeloi një kompani, e cila që atëherë është bërë agjencia më e madhe e pasurive të paluajtshme - Emaar Properties.
A është kjo kompania e tij?
“Kisha një parandjenjë se qyteti ynë do të rritej dhe nisa projektin tim të parë me vlerë rreth 15 miliardë dirhemë (rreth 36 milionë euro) – Dubai Marina. Nuk kisha as përvojë, as njohuri, por kisha shumë dashuri dhe pasion për të mësuar”, thotë Muhamed Alabar.
Zhvillimi i Qendrës Dubai ishte projekti i radhës i Emaar Properties, i cili përfshinte Dubai Mall dhe Burj Khalifa.
Ndërtimi i Burj Khalifa filloi në 2004 dhe vazhdoi pavarësisht krizës financiare që ndaloi shumë megaprojekte të tilla midis 2007 dhe 2010.
Sidoqoftë, në vitin 2010 u hap Burj Khalifa – rrokaqielli më i lartë në botë, 828 metra i lartë. Rreth 65,000,000 vizitorë kaluan nëpër Dubai Mall vetëm vitin e kaluar.
Sot kur flet për planet e tij të biznesit thotë: “Jo. Qëllimi im nuk është Amerika, sepse punët në Afrikë e kthejnë investimin tim më shpejt”. Aty Mohammad Alabar hapi kompani që kanë miniera dhe sot ai është një nga njerëzit më të fuqishëm në këtë biznes në Lindjen e Mesme.
Kompanitë e tij janë ende të përfshira në ndërtim, dhe ai aktualisht operon në 14 vende, duke përfshirë Indinë, Marokun, Serbinë dhe Turqinë. Filozofia e biznesit të Alabar, të paktën në një nivel deklarativ, është e thjeshtë: "Personalisht, unë gjithmonë dua të punoj në rrokaqiellin më të madh dhe më të lartë, por gjithashtu dua të fitoj sa më shumë para".
Nga ana tjetër, të tjerë që e njohin mirë biznesin e tij, thonë se receta e Alabarit është shumë më e thjeshtë: “Ai nuk i shpenzon kurrë paratë e tij” /VoxNews