Ministri Gonxhja përgënjeshtron Policinë: “Skifterët” që arrestuat nuk kanë vjedhur ikonat në inventarin tonë

31 March 2024, 11:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri Gonxhja përgënjeshtron Policinë:
Foto- montazh/ Blendi Gonxhja, një prej ikonave të sekuestruara dhe logo e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit njoftoi dje se dy persona u arrestuan pasi u kapën në flagrancë me vepra arti të vjedhura, të cilat i trafikonin dhe ua shisnin të huajve për shuma të mëdha parash.

Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve, i identifikuar si Pëllumb Leka i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin Emanuel Çaço, i trafikonin me qëllim përfitimin. 

Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro. 

Por të gjitha konkluzionet e mësipërme janë hedhur poshtë nga ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja. 

Ai sqaron qytetarët se personat e arrestuar nuk kanë vjedhur ikonat në inventarin e institucionit në vartësi të ministrisë, DRTK/Parqe dhe Muze dhe se asnjë nga personat e identifikuar nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI.

Gonxhja beson se ekspertimi i Policisë do të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske. 

SQARIM: Pas komunikimit zyrtar me institucionet e trashëgimisë kulturore, DRTK/Parqe dhe Muze, lidhur me ngjarjen e bërë publike në media nga Policia e Shtetit, sot më datë 30 Mars 2024, mbi operacionin e koduar "ikonat", në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cënuar inventaret apo pasuritë në to!
Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI!
Për rrjedhojë, shpresoj në mirëkuptimin e publikut për faktin se në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk kam nxituar ende të përgëzoj, aq më tepër sepse duke bërë këtë mund të konfirmoja një lajm, që edhe pse nga Policia e Shtetit, duhet të verifikohet!
Duke uruar, ashtu siç shikohet nga pamjet, që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske,
fundjavë të bukur!

 


Video