Mustafa Lici, është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e SPAK, ndërkohë që i biri i tij Ibrahim Lici është në kërkim për vrasjen e 32-vjeçarit Endri Mustafa.
Nuk dihen ende arsyet e thirrjes së Licit në Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që fisi i tij është i njohur në Shkodër për një seri ngjarjesh kriminale, në përplasje me bandat kundërshtare.
Emri i Ibrahim Licit doli në dosjen “Metamorfoza”, ku Behar Bajri thurte plane për ta ekzekutuar.
Djali i tij, Ibrahim Lici është i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, në maj të vitit 2021.
Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh.
Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.
Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash.
Ai është djali i Mustafa Licit, ky i fundit i arrestuar më herët për gjobëvënie ndaj tregtarëve në qytetin e Shkodrës.